Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka shqiptuar dy gjoba prej gjithsej 10 mijë eurosh ndaj Komunës së Prishtinës për moskryerjen e obligimeve ligjore në menaxhimin e mbeturinave. Ministrja Fitore Pacolli ka bërë të ditur se gjoba janë shqiptuar edhe ndaj komunave të tjera dhe kompanive rajonale të mbeturinave, për shkak të gjendjes së rëndë me mbeturina në disa pjesë të vendit.

Pacolli në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë ka thënë se situata paraqet rrezik për mjedisin dhe shëndetin publik, duke kritikuar veçanërisht Komunën e Prishtinës për menaxhimin e mbeturinave dhe ndërmarrjen publike “Pastrimi”.
“Informojmë mbi hapat emergjentë dhe strategjikë që po ndërmarrim, duke parë gjendjen e rëndë dhe të papranueshme me mbeturina që ka kapluar shumë pjesë të vendit tonë. Kjo gjendje e paraqet një rrezik të vërtetë të mjedisit dhe një rrezik të vazhdueshëm për shëndetin publik. Siç keni mundur ta shihni, një pjesë e komunave e bëjnë një punë të mirë në mbledhjen e mbeturinave, kurse një pjesë tjetër dështojnë t’i kryejnë detyrat që u takojnë me ligj. Këtu fatkeqësisht prijnë komuna e Prishtinës, e cila si kryeqytet ka edhe numrin më të madh të banorëve, por komuna e Prishtinës përveçse i mungon vullneti për të kryer obligimet e saj, ata po keqmenaxhojnë edhe me ndërmarrjen publike “Pastrimi”. Para kësaj gjendjeje, qeveria nuk mund të rrijë duarkryq kur krijohet një situatë emergjente edhe pas asaj që kompetencat tona janë të limituara sa i përket menaxhimit të mbeturinave. Për të mbrojtur shëndetin publik, ministria ka ndërmarrë dhjetëra aksione inspektimi dhe ka vendosur mbikëqyrje strikte, duke bërë të qartë se keqmenaxhimin nuk do ta tolerojmë në asnjë nivel”, tha ajo.
Ministrja ka bërë të ditur se gjoba janë shqiptuar edhe ndaj Komunës së Istogut dhe kompanive rajonale të mbeturinave në Prishtinë, Pejë dhe Deçan.
“Pikërisht për këtë, ditët e fundit kemi shqiptuar gjoba ndaj atyre që dështuan të kryejnë detyrat e tyre ligjore. Konkretisht, kemi ndëshkuar komunën e Prishtinës me dy gjoba, pra dy herë nga 5,000 euro, komunën e Istogut me 5,000 euro, kompaninë rajonale të Prishtinës “Pastrimi” me 2,000 euro, kompaninë rajonale “Ambienti” në Pejë me dy gjoba, një prej 5,000 euro dhe një prej 2,000 eurosh, si dhe kompaninë “Higjiena” në Deçan me 2,000 euro. Përveç gjobave ndaj komunave, e kompaniave publike, ne kemi gjobitur një numër të madh të qytetarëve të pandërgjegjshëm, të cilët po vazhdojnë të hedhin mbeturinat në vendet ku nuk lejohet. Kontrollet tona në terren janë të shpeshta, dhe ato bëhen përmes dronëve dhe kamerave. Prandaj, e ftojmë secilin qytetar që të dërgojë mbeturinat në deponitë legale në rajonet e tyre, të cilat janë të hapura çdo të shtunë”, tha ajo.
Pacolli ka thënë se gjendja me mbeturinat është edhe më e vështirë në komunat veriore, ndërsa ka bërë të ditur se për këtë pjesë është caktuar lokacioni për ndërtimin e një deponie të re, në bashkëpunim me Bashkimin Evropian.
“Situata në komunat e veriut është më e vështirë. Për veriun është caktuar lokacioni dhe falë bashkëpunimit me BE-në, do të ndërtohet deponia e re”, tha ajo.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




