Mjekët dhe profesionistët e rinj shëndetësorë do të vazhdojnë protestën edhe sot në Prishtinë, duke kërkuar mundësi punësimi, konkurse transparente për specializime dhe pagesën e stazhit gjashtëmujor.

Protesta është paralajmëruar të nisë nga ora 10:00, në sheshin “Skënderbeu”, ku organizatorët e iniciativës “Për dinjitetin e profesionistëve shëndetësorë” do të vendosin tavolina dhe do të ofrojnë shërbime simbolike për qytetarët.
Kjo është vazhdimësi e protestës së mbajtur të shtunën para Ministrisë së Shëndetësisë, ku profesionistët e rinj shprehën pakënaqësitë për mungesën e perspektivës dhe vështirësitë për punësim në Kosovë.
Në protestën e së shtunës, Besfort Racaj, në emër të organizatorëve, deklaroi se gjatë periudhës 2021–2026 nga Kosova kanë emigruar 650 mjekë, ndërsa 534 doktorë janë të papunë.
Protestuesit kërkojnë që institucionet të ndërmarrin hapa konkretë për të krijuar kushte që profesionistët e rinj të mund ta ndërtojnë të ardhmen e tyre në Kosovë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





