“Qytetarët nuk i vlerësojnë institucionet sipas planeve dhe premtimeve tona. Ata i vlerësojnë sipas shërbimit që marrin, përgjigjes që presin dhe besimit që kanë te sistemi. Qëllimi ynë është që dija të bëhet forca e administratës, profesionalizmi standardi i saj, ndërsa besimi i qytetarëve rezultati i saj më i madh”, porositi ministri i Administratës Publike, Goran Minçev, në fjalimin e tij në ciklin e tretë të trajnimeve gjenerike për nëpunësit administrativë për vitin 2026, i mbajtur në Kumanovë për nëpunësit e Rajonit Verilindor.

Minçev theksoi se reforma e administratës publike tashmë po merr bazë konkrete institucionale dhe ligjore, ndërsa përparimi është njohur edhe në Raportin e Komisionit Evropian për vitin 2026. Në raport evidentohen hapat e ndërmarrë për forcimin e kapaciteteve të Ministrisë së Administratës Publike, avancimin e sistemit për menaxhimin e burimeve njerëzore, si dhe krijimin e një kornize më të qëndrueshme për funksionimin profesional dhe të përgjegjshëm të administratës.
“Vlerësimet e Komisionit Evropian janë tregues i rëndësishëm se jemi në një rrugë reformuese që duhet ta vazhdojmë me një dinamikë edhe më të fuqishme. Por për ne më e rëndësishmja është që reformat të mos mbeten vetëm zgjidhje ligjore dhe ndryshime institucionale. Ato duhet të ndihen në punën e përditshme të institucioneve dhe në shërbimet që marrin qytetarët”, theksoi Minçev.
Duke u ndalur te faza e ardhshme e profesionalizimit të administratës, Minçev veçoi krijimin e Akademisë për Përparim Profesional dhe Trajnim të Nëpunësve Administrativë, si një nga shtyllat kryesore të reformës.
“Nuk po e ndërtojmë Akademinë që të kemi edhe një institucion tjetër në sistem. Po e ndërtojmë që të vendosim një mekanizëm që do të sigurojë mësim të vazhdueshëm, programe cilësore, standarde të unifikuara dhe mundësi reale për zhvillim profesional.
Duam që dija të mos përfundojë me trajnimin, por të zbatohet në punë dhe të sjellë rezultate më të mira”, deklaroi Minçev.
Si pjesë e procesit reformues, ministri përmendi edhe zgjidhjet e reja ligjore për drejtuesit e lartë, nëpunësit administrativë dhe të punësuarit në sektorin publik, me të cilat vendosen kritere më të qarta profesionale, vlerësim sipas rezultateve dhe përgjegjësi më e madhe në punë.
“Ministria e Administratës Publike vazhdon të ndërtojë një sistem në të cilin dija vlerësohet, profesionalizmi nxitet dhe përgjegjësia është standard për të gjithë. Qëllimi përfundimtar është krijimi i një administrate të fortë, kompetente dhe efikase, e cila do t’u përgjigjet nevojave të qytetarëve dhe do ta arsyetojë besimin e tyre përmes shërbimeve cilësore dhe rezultateve konkrete”, përfundoi Minçev.




