Sekretari i Jashtëm britanik, Ed Miliband, është përballur drejtpërdrejt me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov, gjatë takimit të ministrave të Jashtëm të G20-s, që po mbahet në Atlanta të SHBA-së.
Duke iu drejtuar Lavrovit, Miliband tha se të gjithë e dinë se Rusia është agresorja në luftën kundër Ukrainës.

“Ne të gjithë e dimë kush është agresori në këtë luftë”, deklaroi Miliband, duke përmendur sulmet ruse ndaj civilëve të pafajshëm. Ai iu referua edhe një sulmi me dronë në Dnipro, për të cilin tha se një ditë më parë ishin vrarë 15 persona.
Miliband theksoi se presidenti rus, Vladimir Putin, nuk po e fiton luftën, falë guximit të popullit ukrainas dhe solidaritetit të vendeve që mbështesin Ukrainën.
“Nëse do të kishit guximin ta thoshit të vërtetën dhe të bënit atë që është e drejtë, do t’i thoshit Putinit se ai nuk po e fiton këtë luftë dhe nuk do ta fitojë”, tha ai.
Kryediplomati britanik bëri gjithashtu thirrje që vendet të vazhdojnë presionin ndaj Moskës dhe t’ia ndërpresin Putinit të ardhurat që, sipas tij, financojnë vazhdimin e luftës.
Ndërkohë, fotografia zyrtare e përbashkët e ministrave të Jashtëm të G20-s u anulua pasi Miliband dhe diplomatë të tjerë evropianë refuzuan të fotografoheshin me Lavrovin, aleatin e afërt të Putinit.
Pas anulimit, Lavrov e cilësoi këtë si “diplomaci të fotografisë familjare”, duke thënë se nëse për ta ka më shumë rëndësi se kush qëndron pranë tyre në fotografi, kjo tregon gjithçka.
Takimi në Atlanta synon të përgatisë terrenin për samitin e liderëve të G20-s, i cili do të mbahet në dhjetor në klubin e golfit të presidentit amerikan, Donald Trump, në Miami, raporton SkyNews.
Burimi: RTKLive




