Ehat Miftari nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka kritikuar ministren e Drejtësisë, Donika Gërvalla, dhe ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, lidhur me konferencën e mbajtur sot në Qeveri për raportin mbi veprimet dhe mosveprimet institucionale në rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt.
Përmes një reagimi në Facebook, Miftari i ka akuzuar dy ministrat për shmangie të përgjegjësisë institucionale, duke e cilësuar paraqitjen e tyre si “derdhje lotësh krokodili”.

“Ministrja Donika Gërvalla dhe ministri Xhelal Sveçla munden me derdh lot krokodili, me aktru para dy milionë shtetasve te Kosoves, t’i akuzojnë dhe mallkojne të tjerët për të mbuluar dështimet e veta dhe të përpiqen t’i shmangen përgjegjësisë institucionale. Munden me keqperdor objektin e qeverise dhe ne konference per media te sillen sikur kanë harruar se shteti dhe institucionet që kanë për detyrë të mbrojnë jetën e qytetarëve drejtohen pikërisht prej tyre. Munden me kerku përgjegjësi nga të gjithë, përveç vetes. Mund të përdorin çdo arsyetim politik për të shmangur llogaridhënien dhe ndjenjen e fajit per jeten e humbur te Arlindes”, ka shkruar ai.
Miftari ka theksuar se përgjegjësia institucionale dhe morale nuk mund të shmanget nga zyrtarët që drejtojnë institucionet shtetërore, duke kërkuar nga Gërvalla dhe Sveçla që të tregojnë dinjitet, empati dhe përgjegjësi ndaj familjeve të viktimave.
“Por ka diçka prej së cilës nuk mund të ikin: nga përgjegjësia institucionale, pergjegjesia morale, nga mungesa e empatisë dhe nga turpi që do t’i përcjellë sa herë të kujtohen jetët e grave që shteti qe ata e udheheqin vret grate. Sepse pushteti nuk është vetëm privilegj. Është përgjegjësi. Dhe kur je në krye të shtetit, nuk mund të sillesh njëkohësisht si pushtet dhe si opozitë ndaj dështimeve të institucioneve që drejton. Të paktën para dhimbjes së familjeve që kanë humbur më të dashurat e tyre, tregoni pak dinjitet, empati dhe përgjegjësi dhe doreheqja ne keto raste nuk ka alternative”, ka potencuar ai.
Burimi: Dukagjini




