Organizatorët kanë publikuar listën e kandidatëve për çmimin “Topi i Artë i të gjitha kohërave”, përmes të cilit tifozët do të votojnë për vitin në të cilin një fitues i “Topit të Artë” ka pasur paraqitjet më të mira individuale në karrierën e tij.
Në mesin e kandidatëve janë disa prej emrave më të mëdhenj të historisë së futbollit, përfshirë Messin, Ronaldon, Johan Cruyffin, Michel Platinin dhe Ronaldo Nazario.

Messi është nominuar për tetë vite të ndryshme, në të cilat e ka fituar Topin e Artë: 2009, 2010, 2011, 2012, 2015, 2019, 2021 dhe 2023. Ndërkaq, Ronaldo është kandidat me pesë vite: 2008, 2013, 2014, 2016 dhe 2017.
Në listë janë edhe Johan Cruyff, me vitet 1971, 1973 dhe 1974; Michel Platini, me vitet 1983, 1984 dhe 1985; si dhe Marco van Basten, me vitet 1988, 1989 dhe 1992.
Kandidatët e tjerë janë Ronaldo Nazario, me vitet 1997 dhe 2002; Franz Beckenbauer, me vitet 1972 dhe 1976; Alfredo Di Stéfano, me vitet 1957 dhe 1959; Karl-Heinz Rummenigge, me vitet 1980 dhe 1981; si dhe Kevin Keegan, me vitet 1978 dhe 1979.
Tifozët mund të votojnë për kandidatin e tyre të preferuar deri më 27 tetor, në mesnatë. Sipas njoftimit të publikuar nga “Tribal Football”, çdo votë kushton një euro, ndërsa rezultatet pritet të bëhen të ditura më 28 tetor.
Ceremonia kryesore do të mbahet më 26 tetor në Palladium të Londrës.
“Topi i Artë” është ndarë për herë të parë në vitin 1956, ndërsa edicioni i vitit 2026 shënon shtatëdhjetëvjetorin e këtij çmimi prestigjioz.
Burimi: RTKLive




