Komunikimet e koduara në platformën Sky ECC, të publikuara nga revista serbe “Radar”, përmendin presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, anëtarë të familjes së tij, zyrtarë të inteligjencës dhe persona të lidhur me grupe kriminale të përfshira në trafikun e drogës.
Sipas investigimit të gazetarëve të revistës, në mesazhet e shkëmbyera nga pjesëtarë të klanit të Darko Shariqit dhe klanit rival të Shkalarit, Vuçiq përmendet me nofkat “Oskar” dhe “Çvarak”.

Në komunikime përmenden gjithashtu vëllai i tij, Andrej Vuçiq, djali Danilo Vuçiq, ish-ministri i Brendshëm Aleksandar Vulin dhe zyrtarë të Agjencisë për Siguri dhe Informacion të Serbisë (BIA).
Danilo Vuçiq në komunikimet me bashkëpunëtorë të Shariqit
Sipas “Radar”-it, Danilo Vuçiq ishte takuar me Aleksandar Boshkoviqin, i njohur me nofkën “Vojvoda”, i cili përmendet si bashkëpunëtor i Darko Shariqit dhe ishte përfshirë në një proces gjyqësor lidhur me përpjekjet për diskreditimin e dëshmitarit bashkëpunëtor Nebojsha Joksoviq.
Revista raporton se në komunikimet e Sky ECC gjendet edhe një fotografi e Danilo Vuçiqit me Boshkoviqin, të cilën ky i fundit ia kishte dërguar Shariqit më 9 korrik 2020.
Në një mesazh të 26 janarit 2020, Dushko Shariq i kishte shkruar vëllait të tij, Darkos, për një person që e përshkruante si djalin e “Oskarit”. Sipas mesazhit, ai person kishte përcjellë falënderime në emër të babait të tij pas kontakteve me Boshkoviqin.
“Mbrëmë më telefonoi ai i riu, të cilin të kam thënë se e ka dërguar Oskari. Tha se babai të falënderon. Vojvodës (Aleksandar Boskoviqit) i duhet të lindë gruaja, prandaj e kishte ftuar në atë festë, ndërsa ky i riu entuziazmohet me ato gjërat e çetnikëve, serbëve. Aq më tepër kur t’i shohë atje të gjithë këta udhëheqës të tifozëve të Yllit të Kuq. Mbrëmë shkroi se Oskari të falënderonte; i riu ia kishte treguar çfarë kishte ndodhur dhe si. Mbrëmë më shkroi vonë. Unë e lidha me Vojvodën, kështu që do të shkojë për vizitë te ai në Valjevë.”
Në një tjetër komunikim, të datës 25 maj 2020, Dushko Shariq përmendte një takim të mundshëm me djalin e “Oskarit”, me qëllim që t’i dorëzonte 2 mijë vota që pretendonte se kishte mbledhur.
“Jo, do të vijë më vonë nga Valjeva, pastaj dëshiron të takohet me djalin e Oskarit për t’ia dhënë ato vota që i kam mbledhur.
Andrej Vuçiq përmendet në bisedat për takime dhe vota
Në mesazhet e publikuara përmendet edhe Andrej Vuçiq, vëllai i presidentit serb.
Më 27 shkurt 2020, Dushko Shariq i kishte shkruar vëllait të tij se “vëllai i Oskarit” dëshironte të takohej me Aleksandar Boshkoviqin.
Në një mesazh tjetër, të datës 20 maj të po atij viti, Dushko Shariq shkruante se shpresonte të takohej me vëllain e “Oskarit”, i cili, sipas mesazhit, dëshironte të merrte 2 mijë vota.
Sipas investigimit të “Radar”-it, këto komunikime ngrenë dyshime për kontakte ndërmjet njerëzve të lidhur me krimin e organizuar dhe personave pranë pushtetit serb, përfshirë çështje me karakter politik dhe zgjedhor.
Vuçiqi përmendet si “Oskar” në mesazhet e Shariqit
Një pjesë tjetër e investigimit përqendrohet te komunikimet e Darko Shariqit, i dënuar për trafikim ndërkombëtar të kokainës, dhe bashkëpunëtorëve të tij.
Më 3 qershor 2020, Shariqi i shkruante Zhelko Vujanoviqit se “Oskari” kishte bërë të qartë se ai vendoste për të. Në të njëjtin komunikim, Shariqi e identifikonte “Oskarin” si Vuçiqin.
Identifikimi përforcohet nga një mesazh i 31 korrikut 2020, në të cilin Vujanoviqi përgjigjej se “Oskari” ishte Vuçiqi. Ndërsa më 20 nëntor të po atij viti, Darko Shariq i shkruante vëllait të tij: “Çvarak është Oskar”.
Sipas “Radar”-it, mesazhet lidhen edhe me pretendime për negociata rreth kushteve të dorëzimit të Shariqit, financimit të Partisë Progresive Serbe (SNS) dhe një premtimi të mundshëm për falje në rast të një vendimi të pafavorshëm gjyqësor. Megjithatë, materiali thekson se komunikimet nuk provojnë vetvetiu se një marrëveshje e tillë është realizuar.
Transferimi i 100 mijë eurove dhe zyrtarët e BIA-s
Investigimi përfshin gjithashtu mesazhe ku përmenden zyrtarë të BIA-s dhe pretendime për transferim parash e shkëmbim informacionesh.
Më 10 maj 2020, Dushko Shariq i shkruante vëllait të tij se një person nga BIA kishte kërkuar transferimin e 100 mijë eurove përmes Aleksandar Boshkoviqit. Dhjetë ditë më vonë, ai pretendonte se paratë ishin transferuar për një person të quajtur “Markus”, të cilin “Radar” e identifikon si Marko Parezanoviq, atëherë zyrtar i lartë i BIA-s.
Në raportim përmenden edhe zyrtarë të tjerë të policisë dhe inteligjencës, si dhe pretendime se informacione nga institucionet shtetërore u përcilleshin bashkëpunëtorëve të Shariqit.
Kontaktet e pretenduara me klanin e Shkalarit dhe rëndësia për Kosovën
Përveç grupit të Shariqit, investigimi trajton edhe komunikimet e pjesëtarëve të klanit të Shkalarit, ku përmenden Vuçiqi, ish-ministri Aleksandar Vulin dhe drejtues të shërbimeve të sigurisë serbe.
Në qendër të këtyre mesazheve është Radomir Baçoviq, i përshkruar nga “Radar”-i si pjesëtar i rangut të lartë të klanit të Shkalarit. Në shkurt të vitit 2021, ai i shkruante bashkëpunëtorit Alen Kurina se kishte marrë një ofertë drejtpërdrejt nga Vuçiqi dhe se Vulin ishte i përfshirë në organizimin e kontakteve.
Në mesazhet e publikuara përmendet edhe Bojan Dimiq, zyrtar i lartë i BIA-s. Sipas “Radar”-it, Dimiqi kishte rol në organizimin e kontakteve me Baçoviqin dhe kishte marrëdhënie të afërta me Milan Radoiçiqin dhe Zvonko Veselinoviqin, dy figura të përmendura në kontekstin e rrjeteve të ndikimit në veri të Kosovës.
Në një prej mesazheve, Baçoviq pretendonte se Vuçiqi i kishte ofruar drejtpërdrejt mbështetje për ardhjen e tij në Serbi. Ai përmendte gjithashtu mundësinë e sigurimit të një biznesi të ligjshëm dhe heqjen e kufizimeve që e pengonin të hynte në vend.
Burimi: Dukagjini




