Kancelari gjerman, Friedrich Merz, ka paralajmëruar se nuk do ta mbështesë buxhetin shtatëvjeçar të Bashkimit Evropian për periudhën 2028-2034, nëse vendet anëtare nuk arrijnë marrëveshje për financimin e mëtejshëm të Ukrainës.

Qëndrimi i tij ka nxitur reagime nga disa liderë evropianë, veçanërisht nga shtetet që kanë kundërshtuar përfshirjen në paketat e ardhshme të ndihmës për Kievin.
Kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico, e ka akuzuar Merzin për shantazh, duke deklaruar se nuk do t’i nënshtrohet presionit të kancelarit gjerman.
Reagimi i tij erdhi gjatë një konference për media në Bratislavë, ku ishte së bashku me kryeministrin çek, Andrej Babiš. Ky i fundit tha se nuk e kuptonte arsyen e qëndrimit të Merzit.
Ndërkohë, në një letër drejtuar presidentit të Këshillit Evropian, António Costa, kancelari gjerman ka kërkuar që nevojat financiare të Ukrainës të diskutohen në samitin e liderëve evropianë në Dublin.
Merz ka theksuar se mbështetja për Kievin në luftën kundër Rusisë është në interesin e përbashkët të vendeve anëtare, por ka vënë në pah se barra financiare është shpërndarë në mënyrë të pabarabartë dhe po mbahet kryesisht nga një numër i kufizuar shtetesh.
Bashkimi Evropian kishte rënë dakord vitin e kaluar për një hua prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën, e cila synonte të mbulonte rreth dy të tretat e shpenzimeve ushtarake dhe civile të vendit për periudhën 2026-2027. Megjithatë, bombardimet e vazhdueshme ruse dhe rritja e kostove kanë shtuar nevojat financiare të Kievit.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka kërkuar 70 miliardë euro për të mbuluar deficitin buxhetor. BE-ja e ka mbështetur këtë vlerësim dhe është zotuar të sigurojë 45 miliardë euro, ndërsa pjesa tjetër pritet të mbulohet nga aleatë të tjerë, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar dhe Kanadanë.
Hungaria, Sllovakia dhe Çekia, të cilat nuk morën pjesë në paketën e mëparshme të huasë prej 90 miliardë eurosh, kanë sinjalizuar se nuk do të kontribuojnë as në financimin e ardhshëm. Atyre u është bashkuar edhe Bullgaria, pas zgjedhjes së kryeministrit Rumen Radev në prill.
Përplasjet për financimin e Ukrainës kanë ndikuar tashmë edhe në negociatat për buxhetin e ardhshëm të BE-së. Gjermania, si kontribuuesja më e madhe neto në buxhetin evropian, kërkon shkurtime të konsiderueshme në projektbuxhet, ndërsa kundërshton që shtetet që refuzojnë të ndihmojnë financiarisht Ukrainën të vazhdojnë të përfitojnë fonde të konsiderueshme nga Bashkimi Evropian.
Në letrën e tij, Merz e ka cilësuar angazhimin financiar të të gjitha vendeve anëtare, pa përjashtim, si kusht thelbësor për zgjidhjen e deficitit të financimit të Ukrainës dhe për diskutimin e çështjeve të tjera që kanë pasoja financiare.
Berlini kërkon gjithashtu që vendimmarrja për ndihmën ndaj Ukrainës të kalojë nga votimi unanim në atë me shumicë të kualifikuar, në mënyrë që një qeveri e vetme të mos ketë mundësi t’i bllokojë vendimet.
Presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, ka konfirmuar se e ka pranuar letrën dhe ka bërë të ditur se financimi i Ukrainës do të diskutohet në takimin joformal të liderëve në Dublin.
Ndërkohë, një samit i posaçëm për buxhetin e ardhshëm të BE-së është planifikuar të mbahet më 26 dhe 27 nëntor. Costa synon që një marrëveshje për këtë çështje të arrihet deri në fund të vitit.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





