Një studim amerikan, i bazuar në të dhënat e mbi 43 mijë qenve, ka zbuluar se më shumë se 84% e tyre shfaqin të paktën shenja të lehta frike ose ankthi në situata të përditshme.

Hulumtimi u krye nga Dr. Bonnie Beaver, profesoreshë e sjelljes së kafshëve në Universitetin Texas A&M, dhe u publikua në revistën shkencore Veterinary Research Communications.
Të dhënat u mblodhën përmes Projektit të Plakjes së Qenve, ku pronarët raportojnë mbi shëndetin dhe sjelljen e kafshëve të tyre.
Sipas studimit, shkaktarët më të zakonshëm të frikës janë njerëzit dhe qentë e panjohur.
Megjithatë, studiuesja thekson se këto rezultate nuk nënkuptojnë se shumica e qenve vuajnë nga çrregullime ankthi, pasi bëhet fjalë për vëzhgime të pronarëve dhe jo për diagnoza veterinare.
Frika e vazhdueshme mund të ndikojë në shëndetin dhe cilësinë e jetës së qenit. Nëse nuk trajtohet siç duhet, ajo mund të përkeqësohet dhe në disa raste të shndërrohet edhe në sjellje agresive.
Beaver këshillon pronarët të vëzhgojnë me kujdes ndryshimet në sjelljen e kafshëve dhe të kërkojnë ndihmë profesionale kur frika bëhet më e shpeshtë ose më e fortë.
Ajo thekson gjithashtu se qentë nuk duhet të ekspozohen vazhdimisht ndaj situatave që i bëjnë të ndihen të pasigurt. /Telegrafi/





