Një i mitur nga Malisheva është ndaluar nga Policia në orët e para të mëngjesit në Skenderaj, pasi gjatë kontrollit i është gjetur një armë zjarri pa numër serik, së bashku me municion, raporton Gazeta Sinjali.

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, bëhet fjalë për një 17-vjeçar, të identifikuar me inicialet B.K., i lindur në vitin 2009, i cili është ndaluar më 26 tetor 2026, rreth orës 04:30, në rrugën “Azem Bejta” në Skenderaj.
Gjatë kontrollit, zyrtarët policorë kanë gjetur dhe sekuestruar një pistoletë me ngjyrë të zezë, me një karikator përkatës dhe gjashtë fishekë të kalibrit 9×19 mm.
Ajo që bie në sy është se arma e sekuestruar nuk kishte numër serik, ndërsa rrethanat se si kishte përfunduar në posedim të të miturit nuk janë sqaruar në informacionet fillestare.
Pas identifikimit të 17-vjeçarit si banor i komunës së Malishevës, Policia ka konsultuar Prokurorin e Shtetit për të Mitur në Mitrovicë, i cili ka udhëzuar që rasti, bashkë me armën e sekuestruar, t’i transferohet Stacionit Policor në Malishevë për trajtim të mëtejshëm.
Pas konsultimeve me prokurorin kompetent për të mitur, është iniciuar procedura penale për veprën “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
I mituri është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa arma dhe municioni kanë mbetur të sekuestruara.
Rrethanat e posedimit të armës mbeten objekt i procedurës së mëtejshme.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




