Partia Demokratike e Kosovës pritet që javën e ardhshme të prezantojë strategjinë shtetërore për mbrojtjen në apel të ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë, si dhe një iniciativë të re ligjore për Gjykatën Speciale.

Kështu ka bërë të ditur ushtruesja e detyrës së kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku, gjatë një takimi të përbashkët të Kryesisë së partisë, Grupit Parlamentar dhe kryetarëve të degëve, të mbajtur të premten.
Sipas njoftimit të PDK-së, Çitaku ka deklaruar se javën e ardhshme pritet të prezantohen frytet e para të punës për mbrojtjen e ish-pjesëtarëve të UÇK-së në procesin e apelit në Hagë.
Iniciativa e re ligjore për Gjykatën Speciale, sipas partisë, do të mbështetet në tekstin e miratuar nga Kuvendi në tetor dhe do të përfshijë kontributet e PDK-së, ekspertëve dhe grupit punues.
Çitaku ka vlerësuar se uniteti i partive parlamentare shqiptare në mbështetje të luftës së Kosovës dhe të ish-pjesëtarëve të UÇK-së në Hagë ka “peshë historike”, ndërsa ka falënderuar partitë dhe të gjithë të angazhuarit për bashkëpunimin në këtë çështje.
Ajo ka theksuar se mbrojtja në procesin e apelit mbetet prioritet absolut i PDK-së.
“PDK do të angazhohet deri në fund që çlirimtarët të kenë mbështetjen e shtetit në çdo nivel, me mobilizimin e të gjitha kapaciteteve institucionale dhe me fonde të mjaftueshme për të ndërmarrë çdo veprim të mundshëm”, thuhet në njoftimin e partisë.
Ndërkohë, Ligji për Gjykatën Speciale, i miratuar më 6 tetor, ishte kthyer në Kuvend me kërkesë të PDK-së. Më pas, kjo parti kishte kërkuar që ligji të miratohej sërish dhe të amandamentohej, por për këtë nuk ishte arritur pajtueshmëri me Lëvizjen Vetëvendosje.
Kryeministri Albin Kurti kishte deklaruar se ishte i gatshëm të mbështeste një iniciativë të re ligjore, ndërsa një ditë më parë PDK-ja u pajtua me propozimin e VV-së për nisjen e një iniciative të re ligjore.
Katër ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, janë dënuar në shkallë të parë nga Dhomat e Specializuara në Hagë me gjithsej 81 vjet burgim.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





