“Mbiemri Haradinaj nuk është mburojë për askënd, kush e përmend pa fakte do të përballet me pasoja ligjore”

“Mbiemri Haradinaj nuk është mburojë për askënd, kush e përmend pa fakte do të përballet me pasoja ligjore”

“Mbiemri Haradinaj nuk është mburojë për askënd, kush e përmend pa fakte do të përballet me pasoja ligjore”

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Daut Haradinaj, ka reaguar pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Pejë, duke kërkuar përgjegjësi institucionale, shkarkime dhe ndëshkime për personat që mund të kenë dështuar në parandalimin e kësaj tragjedie.

Sponsor 3M Express

Përmes një reagimi publik, Haradinaj ka kritikuar diskutimet politike dhe parlamentare pas vrasjes, duke theksuar se rasti kërkon veprime konkrete dhe jo, siç është shprehur ai, moralizime politike.

“Ngjarja e rëndë e mbrëmshme në Pejë, ku iu mor mizorisht jeta një nëne, Arlinda Zekajt, sot më së paku ka nevojë për moral politik e parlamentar. Ka nevojë për llogaridhënie të drejtpërdrejtë, shkarkime dhe ndëshkime”, ka deklaruar Haradinaj.

Ai është ndalur edhe te pretendimet se i dyshuari për vrasjen mund të ketë pasur mbështetje nga persona me ndikim, duke paralajmëruar se mosveprimi përballë kërcënimeve mund të sjellë përgjegjësi të rëndë.

“Kushdo që e lidh dorasin me njerëz të fuqishëm, duke u thirrur në presupozime se gjoja ka pasur krahë të fortë dhe se askush nuk ka mundur t’i bëjë asgjë, duhet ta kuptojë se heshtja, tolerimi dhe mosveprimi përballë rasteve të tilla mund t’ju bëjnë bashkëfajtorë në një krim që mund të ishte parandaluar”, ka theksuar ai.

Haradinaj ka ngritur gjithashtu pyetje lidhur me veprimet e avokates që kishte përfaqësuar viktimën, Adelina Hoxha, pas deklarimeve për kërcënime të mundshme dhe përdorimin e emrit të familjes Haradinaj.

“Pse nuk u ngritën këto shqetësime dhe nuk u kërkua reagim institucional para se të ndodhte kjo tragjedi? Nëse ka pasur pretendime se dorasi gëzonte mbrojtje apo ndikim për shkak të lidhjeve me familjen Haradinaj, këto pretendime duhej të trajtoheshin me përgjegjësi dhe përmes rrugëve institucionale”, ka deklaruar ai.

Ish-deputeti ka kërkuar që edhe Oda e Avokatëve të Kosovës të reagojë dhe të sqarojë çështjet që lidhen me përgjegjësinë profesionale në këtë rast.

Duke iu referuar pretendimeve për lidhje të të dyshuarit me familjen Haradinaj, ai ka theksuar se asnjë fotografi apo njohje personale nuk mund të përdoret për të arsyetuar një krim.

“Fotografitë edhe me Zotin nëse i ke, nuk e arsyetojnë këtë krim makabër. Askush nuk mund ta përdorë mbiemrin Haradinaj për të krijuar përshtypjen se dikush është i paprekshëm”, është shprehur Haradinaj.

Ai ka mohuar që familja e tij të shërbejë si mbrojtje për persona të përfshirë në veprimtari kriminale, duke përmendur edhe raste të mëhershme kur, sipas tij, familjes Haradinaj i janë atribuuar akuza të pabazuara.

“Nuk është hera e parë që përballemi me tentativa të tilla, duke na veshur me afera si Pandora, çështje pronash e akuza për banditizëm, të cilat faktikisht kanë rezultuar të jenë fabrikime. Familja ime dhe mbiemri Haradinaj nuk janë mburojë për askënd, përveç asaj që kemi mbrojtur gjithmonë: lirinë dhe institucionet e Kosovës”, ka shkruar ai.

Haradinaj ka paralajmëruar masa ligjore ndaj kujtdo që përmend emrin e familjes së tij pa fakte, por edhe ndaj atyre që mund ta përdorin atë për të kërcënuar qytetarët.

“Kushdo që e përmend mbiemrin tonë pa asnjë fakt, do të përballet me pasoja ligjore. Po ashtu, kushdo që mendon se mund të kërcënojë dikë duke u thirrur në këtë mbiemër, do të përballet me të njëjtat pasoja”, ka theksuar ai.

Ai u ka bërë thirrje edhe personave që ndihen të kërcënuar nga individë që pretendojnë lidhje me familjen Haradinaj që t’i kontaktojnë drejtpërdrejt.

Në përfundim, Haradinaj ka kritikuar ashpër dështimet institucionale në mbrojtjen e grave nga dhuna, duke i cilësuar ato si përgjegjësi të rëndë të shtetit.

“Dështimi i shtetit për t’i mbrojtur gratë që bëhen viktima të dështimit katastrofal të institucioneve të drejtësisë dhe sigurisë është krim mbi krim”, ka deklaruar ai.

“Lufta me armë për ne përfundoi në vitin 1999. Që nga ajo ditë, e vetmja luftë që kemi është ajo për sigurinë e çdo qytetari të Kosovës, për sovranitetin e saj dhe për të ardhmen e saj”, ka përfunduar Haradinaj. /Telegrafi/

Lexo edhe

Haxhiu nesër për vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut

Haxhiu nesër për vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut

Kryetarja Haxhiu në vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut

Kryetarja Haxhiu në vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut

Vanessa Trump zbulon simptomën e parë të kancerit të gjirit

Vanessa Trump zbulon simptomën e parë të kancerit të gjirit

“Mbiemri Haradinaj nuk është mburojë për askënd, kush e përmend pa fakte do të përballet me pasoja ligjore” | Momenti