Mbi 700 shqiptarë nga komuniteti hasjan në Mbretërinë e Bashkuar u mblodhën në The City Pavilion, në Romford të Londrës, në aktivitetin “Ura e Bashkimit 2026”, të organizuar nga Diaspora Hasjane me rastin e festave të Nëntorit.

Mbrëmja festive dhe kulturore bashkoi familje hasjane, përfaqësues diplomatikë të Shqipërisë dhe Kosovës, studiues, intelektualë, artistë, sportistë dhe personalitete të komunitetit shqiptar në Britaninë e Madhe.
Aktiviteti kishte në fokus ruajtjen e identitetit kombëtar, promovimin e historisë dhe traditave të Hasit, si dhe forcimin e lidhjeve mes bashkëkombësve që jetojnë larg vendlindjes.
Në këtë kuadër, kryetari i Diasporës Hasjane, Shefqet Kraja, falënderoi pjesëmarrësit dhe kontribuuesit, duke vënë theksin te rëndësia e unitetit dhe bashkëpunimit për realizimin e nismave në mbështetje të vendlindjes.
Gjatë aktivitetit u prezantuan edhe arritjet e Diasporës Hasjane që nga themelimi i saj në Londër, më 29 maj 2025, transmeton Telegrafi.
Ndër kontributet e evidentuara ishin dhurimi i 25 mjeteve për personat me aftësi të kufizuara në Has, mbështetja për ekipet e futbollit U11 dhe U13, organizimi i një olimpiade sportive me pjesëmarrjen e 14 shkollave dhe rreth 168 nxënësve, si dhe dhurimi i 70 laptopëve për shkollat e zonës.
Një pjesë e rëndësishme e angazhimit të organizatës lidhet edhe me mbrojtjen e Bashkisë Has si njësi më vete, përmes lobimit dhe bashkëpunimit me përfaqësues të komunitetit dhe institucioneve.
Gjatë prezantimit u përmendën gjithashtu projektet e ardhshme, përfshirë ndërtimin e fushave sportive në Pashtrik, krijimin e një këndi lojërash për fëmijë, Parkun e Hasit dhe Muzeun Etno-Historik të Krumës.
Në aktivitet morën pjesë edhe përfaqësues të ambasadave të Shqipërisë dhe Kosovës në Londër. Ilir Bytyqi, nga Ambasada e Kosovës, rikonfirmoi mbështetjen për komunitetin shqiptar në fushën e kulturës dhe arsimit, ndërsa Enian Lamçe, përfaqësues i Ambasadës së Shqipërisë, vlerësoi solidaritetin dhe frymën e bashkëpunimit të komunitetit hasjan.
Studiues dhe personalitete të njohura, mes tyre etnologu Nexhat Çoçaj dhe historiani Nusret Pllana, folën për rëndësinë e kujtesës historike dhe kontributin e Hasit në ngjarjet madhore kombëtare.
Gjithashtu, u vu në pah nevoja për ruajtjen dhe rivitalizimin e 16 kullave të Hasit, si pjesë e trashëgimisë historike dhe kulturore të zonës.
Atmosferës festive iu bashkua edhe programi artistik, ku fëmijët e shkollës shqipe “Ardhmëria” prezantuan këngë, poezi dhe valle shqiptare.
Programi përfshiu edhe veshje tradicionale, lojëra popullore dhe interpretime muzikore nga artistë të ndryshëm të komunitetit shqiptar.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe brezit të ri, me pjesëmarrjen e futbollistit të ri me origjinë nga Hasi, Armend Muslika, pjesë e Tottenham Hotspur.
Ndërkohë, u prezantua mbështetja për ekipet U11 dhe U13 të Pashtrikut, të cilat pritet të marrin pjesë në turneun ndërkombëtar “Future of Football 2026” në Tiranë.
Në përfundim, organizatorët vlerësuan kontributin e sponsorëve, vullnetarëve, artistëve dhe të gjithë pjesëmarrësve, duke theksuar se “Ura e Bashkimit 2026” synon të jetë një pikë takimi për hasjanët në Shqipëri, Kosovë, Mbretërinë e Bashkuar dhe diasporën në mbarë botën, me qëllim ruajtjen e identitetit kombëtar dhe mbështetjen e zhvillimit të vendlindjes./Telegrafi/





