Për më shumë se gjashtë orë, situata u tensionua në disa zona të Tiranës, përfshirë sheshin “Skënderbej”, rrugën “George W. Bush”, zonën pranë Parlamentit, “Myslym Shyri”, Rrugën e Kavajës dhe “Vasil Shanto”.
Gjatë protestës, sipas mediave shqiptare, persona të maskuar hodhën bomba Molotov, mjete piroteknike dhe sende të forta, ndërsa raportohet edhe për përdorimin e shufrave dhe lazerëve. Policia ndërhyri me ujë me presion, gaz lotsjellës dhe plumba gome në përpjekje për të shpërndarë turmat.

Përplasjet shkaktuan dëme në disa institucione publike dhe biznese private, ndërsa në disa pika u regjistruan zjarre dhe thyerje të xhamave.
Sipas informacionit të raportuar, me bomba Molotov u sulmuan Ministria e Mjedisit dhe Teatri i Kukullave, ku shpërthyen zjarre. Ndërkohë, pranë Bankës së Shqipërisë u dëmtuan xhamat e kabinës së rojës dhe kamerat e sigurisë.
Dëme u konstatuan edhe në një filial banke në Rrugën e Kavajës dhe në një dyqan të operatorëve celularë në zonën e “Vasil Shantos”, ku u thyen fasadat prej xhami.
Gjatë trazirave u dogjën gjithashtu një kioskë në qendër të qytetit, një stacion urban dhe disa kosha mbeturinash përgjatë akseve ku u zhvilluan përplasjet.
13 persona të lënduar, disa vijojnë ekzaminimet
Sipas bilancit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, deri në orën 19:45 ishin raportuar 13 persona të lënduar. Ata morën ndihmë mjekësore në Spitalin e Traumës, Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” dhe Poliklinikën e Specialiteteve nr. 2.
Shumica e të lënduarve u larguan pas marrjes së ndihmës së parë, ndërsa disa prej tyre vijuan ekzaminimet mjekësore. Mes rasteve të raportuara ishte edhe një protestues me dëmtim në sy.
Sipas raportimeve, autoritetet kishin paralajmëruar për mundësinë e përshkallëzimit të situatës që në orët e paradites, pas evidentimit të thirrjeve për dhunë në rrjetet sociale. Policia u kishte bërë apel qytetarëve dhe prindërve që të distancoheshin nga personat që mund të përfshiheshin në akte të dhunshme.
Ministri i Brendshëm, Ervin Demo, deklaroi se strukturat përkatëse po analizojnë qindra orë pamje filmike për të identifikuar personat e përfshirë në akte të dhunshme, edhe në rastet kur ata kanë përdorur maska për të fshehur identitetin.
Ndërkohë, sipas informacionit të raportuar, turmat janë shpërndarë, policia ka nisur shoqërimin e personave të dyshuar për përfshirje në akte vandale dhe në rrugët e kryeqytetit ka filluar pastrimi i mbetjeve të shkaktuara nga përplasjet, shkruajnë mediat në Tiranë.
Burimi: RTKLive




