Mbi 1,000 fëmijë nga komunitetet pakicë dhe familjet që përfitojnë asistencë sociale në Komunën e Podujevës janë ndihmuar me nga një palë veshje sportive.

Aktiviteti u organizua nga Komuna e Podujevës në bashkëpunim me Grupin Joformal të Grave Asambleiste dhe përfshiu nxënësit e shkollave fillore “Shaban Shala”, “Naim Frashëri”, “Ibrahim Rugova”, si dhe fëmijët e Lagjes së Komuniteteve.
Në këtë aktivitet mori pjesë edhe nënkryetari i Komunës së Podujevës, Fahri Restelica, i cili tha se shpreson që kjo ndihmë, pavarësisht se është modeste, t’u shërbejë fëmijëve që të ndihen të barabartë me nxënësit e tjerë.
Drejtorët e shkollave falënderuan nënkryetarin Restelica dhe Grupin Joformal të Grave Asambleiste për mbështetjen, duke theksuar se ajo është e mirëseardhur për nxënësit nga familjet me kushte të vështira ekonomike.
Gjatë takimit me drejtorët, u diskutuan edhe çështje të tjera që lidhen me punën e përditshme në shkolla. /Telegrafi/




