Chelsea do të mund të llogarisë në shërbimet e Cole Palmer për përballjen e ardhshme ndaj Manchester Unitedit në Ligën Premier, pavarësisht se mesfushori anglez u ndëshkua me karton të kuq në derbin londinez kundër Tottenhamit.

Palmer u përjashtua nga loja në humbjen 2-0 të Chelseat ndaj Tottenhamit, pasi mori dy kartonë të verdhë brenda nëntë minutave gjatë pjesës së dytë.
Megjithatë, përjashtimi nuk do ta pengojë atë të luajë kundër Manchester Unitedit në ndeshjen e planifikuar për më 31 tetor.
Kjo për shkak se pezullimi automatik prej një ndeshjeje do të zbatohet në përballjen e Chelseat kundër Liverpoolit në ‘Anfield’, në kuadër të Kupës së Ligës Angleze (Carabao Cup).
Sipas rregullave të futbollit anglez, pezullimet për kartonë të kuq vlejnë si për ndeshjet e Ligës Premier, ashtu edhe për garat vendore të kupave.
Kështu, Palmer pritet të jetë në dispozicion të stafit teknik për sfidën e rëndësishme kundër Manchester Unitedit.
Reprezentuesi anglez kishte luajtur rol vendimtar edhe në fitoren e mëparshme të Chelseat në Carabao Cup ndaj Leeds Unitedit, kur u aktivizua nga banka rezervë dhe realizoi dy gola brenda vetëm tre minutave, duke kontribuar në përmbysjen dhe fitoren 6-3.
Në anën tjetër, Manchester Unitedi tashmë është eliminuar nga kjo garë, pas humbjes 3-2 ndaj Brightonit, në një ndeshje ku shpërdoroi epërsinë prej dy golash.
Kjo disfatë shënoi një rekord negativ për klubin nga ‘Old Trafford’, pasi ishte hera e parë pas 50 vjetësh që Unitedi humbi një ndeshje në shtëpi pasi kishte krijuar epërsi prej dy golash.
Prania e Palmerit në përballjen e 31 tetorit përbën një lajm pozitiv për Chelsean, që synon të rikthehet te rezultatet pozitive pas disfatës në derbin londinez. /Telegrafi/




