Lëvizja Vetëvendosje (LVV), Qendra në Sharr, ka ngritur dyshime për mënyrën e menaxhimit të parasë publike nga Komuna e Dragashit, e udhëhequr nga Bexhet Xheladini, duke kërkuar nga Prokuroria e Shtetit që të ndërmarrë veprime hetimore.

Përmes një postimi në Facebook, LVV-ja ka pretenduar se gjatë viteve 2024–2026, Komuna ka ndarë 442 mijë euro për dy organizata joqeveritare, ndërsa për vitin 2027 janë planifikuar edhe rreth 120 mijë euro.
Sipas këtij subjekti politik, bëhet fjalë për një shumë të përgjithshme prej rreth 562 mijë eurosh për shërbime, për të cilat pretendohet se është shmangur procedura e prokurimit publik.
LVV-ja ka ngritur dyshime edhe për mënyrën e zhvillimit të procedurave, duke pretenduar se thirrja publike është protokolluar para vendimit të kryetarit, nuk është bërë analiza e tregut, nuk janë publikuar kriteret dhe pikët e vlerësimit të aplikuesve, ndërsa thirrja nuk është publikuar në platformën zyrtare qeveritare për financimin e OJQ-ve.
Dyshime edhe për mosrealizimin e projekteve infrastrukturore
LVV-ja në Sharr ka ngritur shqetësime edhe lidhur me një kontratë në vlerë prej 135,329.28 eurosh, të nënshkruar më 30 korrik 2025, e cila përfshinte:
- Ndërtimin e trotuarit Dragash – Ura e Shajnës;
- Ndërtimin e trotuarit Dragash – Kukajan;
- Ndriçimin e rrugës unazore;
- Ndërtimin e murit mbrojtës te varrezat e qytetit.
Sipas LVV-së, punimet duhej të përfundonin më 20 nëntor 2025, mirëpo edhe më shumë se një vit pas kalimit të këtij afati, shumica e projekteve pretendohet se mbeten të parealizuara.
Ky subjekt politik ka kërkuar sqarime nga Komuna lidhur me zbatimin e penaliteteve për vonesat, zgjatjen eventuale të kontratës, pagesat e realizuara dhe përgjegjësinë për mosrealizimin e punimeve.
“Si Lëvizje VETËVENDOSJE! – Qendra në Sharr, i bëjmë thirrje Prokurorisë së Shtetit që të ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore për të dyja rastet”, thuhet në reagim.
“Paraja publike nuk është pronë e kryetarit. Është pasuri e qytetarëve, për të cilën duhet të jepet llogari deri në centin e fundit”, përfundon reagimi i LVV-së. /Telegrafi/





