Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Lëvizja Vetëvendosje (LVV) kanë zyrtarizuar marrëveshjen e koalicionit për qeverisjen e Komunës së Shtimes.

Këtë e ka bërë të ditur kryetari i LDK-së në Shtime, Kastriot Shabani, i cili ka njoftuar se marrëveshja është formalizuar përmes nënshkrimit të aktit përkatës.
Sipas Shabanit, marrëveshja është arritur pas përpjekjeve të përbashkëta dhe bazohet në parimet e qeverisjes së mirë dhe mirëbesimit, në përputhje me ligjet në fuqi.
Si pjesë e marrëveshjes, LDK-ja në Shtime do të udhëheqë katër drejtori komunale, si dhe do të marrë pozitën e kryesuesit të Kuvendit Komunal.
Shabani ka thënë se ky bashkëpunim synon zhvillimin e qytetit dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve të Komunës së Shtimes./Telegrafi/





