Nënkryetarja e LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, ka reaguar pas ceremonisë së varrimit të Arlinda Zekajt, duke kërkuar përgjegjësi politike nga drejtuesit e institucioneve për dështimin në mbrojtjen e jetës së saj.

Përmes një postimi në Facebook, Lushaku-Sadriu ka shprehur dhimbjen për humbjen e Arlindës, duke veçuar gjendjen e djalit të saj, i cili e përcolli nënën për herë të fundit.
“Teksa e pashë djalin e Arlindës në varrim, bota m’u shemb e shpirti më hyri në dhe. Një fëmijë që sot e përcolli nanën për herë të fundit dhe ka me jetu pa të përjetë”, ka shkruar ajo.
Lushaku-Sadriu ka kritikuar ministrin e Punëve të Brendshme dhe ministren e Drejtësisë, duke ngritur pikëpyetje për përgjegjësinë e tyre lidhur me dështimet e mundshme institucionale në parandalimin e rastit, transmeton Klankosova.tv.
“Kur merr besimin e qytetarëve për ta udhëhequr shtetin, merr përgjegjësi edhe për dështimet e sistemit. Nuk mund ta pranosh pushtetin e ta refuzosh përgjegjësinë!”, ka deklaruar ajo.
Sipas nënkryetares së LDK-së, dorëheqja e zyrtarëve përgjegjës do të përbënte një akt ndërgjegjeje dhe përgjegjësie morale përballë një tragjedie të tillë.
“Dorëheqja është akt ndërgjegjeje. Është përgjegjësi morale përtej asaj ligjore”, ka shkruar Lushaku-Sadriu, duke kritikuar ministrat për mungesën e marrjes së përgjegjësisë politike.
Mes tjerash, ajo ka rikujtuar dhimbjen e fëmijës që mbeti pa nënën dhe ka kërkuar reflektim nga drejtuesit institucionalë për rastin e rëndë./Klankosova.tv




