Gara për udhëtarë mes kompanive të transportit dyshohet se ka përfunduar me grushte në Obiliq. Një shofer i kompanisë “Barileva Trade” ka denoncuar se është sulmuar fizikisht nga dy persona në stacionin e autobusëve, ndërsa shkak i përplasjes dyshohet të ketë qenë marrja e udhëtarëve dhe ndërhyrja në orarin e linjave të autobusëve. Rasti ka përfunduar me arrestimin e dy personave.

Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se incidenti ka ndodhur të mërkurën, më 4 nëntor, rreth orës 08:30, në rrugën “Hasan Prishtina” në Obiliq.
Personi që ka denoncuar sulmin është F.S., rreth 29-vjeçar, shofer i kompanisë “Barileva Trade”, i cili në momentin e incidentit nuk ishte në detyrë.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, Sadiku ka deklaruar se është sulmuar fizikisht nga dy persona në stacionin e autobusëve.
Burimet e Sinjalit zbulojnë se të dyshuarit janë A.T., rreth 42-vjeçar dhe B.Th., rreth 32-vjeçar.
Përplasja dyshohet se nisi për oraret dhe udhëtarët
Në qendër të mosmarrëveshjes dyshohet të ketë qenë konkurrenca për udhëtarë ndërmjet kompanive të transportit.
Sipas informacioneve fillestare, shoferë të kompanisë “Kastrioti” dyshohet se kishin ndërhyrë në itinerarin e autobusëve, duke marrë udhëtarë që pritej të udhëtonin me autobusët e “Barileva Trade”.
Kjo situatë dyshohet se ka nxitur konfliktin që përfundoi me sulmin e raportuar ndaj F.S.
Megjithatë, rrethanat e plota të mosmarrëveshjes dhe përgjegjësia eventuale e personave të përfshirë mbeten për t’u sqaruar gjatë hetimeve.
Dy të arrestuar, ndalohen për 48 orë
Pas denoncimit, Policia ka ndërmarrë veprimet hetimore dhe ka arrestuar dy personat e dyshuar.
A.T dhe B.Th janë intervistuar dhe, me vendim të Prokurorisë së Shtetit, ndaj tyre është caktuar ndalimi prej 48 orësh.
Rasti është iniciuar për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”, ndërsa hetimet po vazhdojnë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




