Liria po marshon drejt Superligës, kapiteni Suso zbulon ambiciet: E kemi vendin në elitë

Liria po marshon drejt Superligës, kapiteni Suso zbulon ambiciet: E kemi vendin në elitë

Liria po marshon drejt Superligës, kapiteni Suso zbulon ambiciet: E kemi vendin në elitë

Kapiteni i Kf Lirisë së Prizrenit, Fitim Susuri ‘Suso’, ka vlerësuar ecurinë e skuadrës në këtë sezon, duke theksuar se uniteti brenda grupit, puna e vazhdueshme dhe bashkëpunimi me trajnerin Ismet Munishi janë ndër faktorët kryesorë të rezultateve pozitive.

Sponsor 3M Express

Në një intervistë për Telegrafin, Susuri ka folur për formën e tij personale, përgjegjësinë që bart si kapiten, kontributin në suksesin e skuadrës dhe synimin për rikthimin e Lirisë në Superligën e Kosovës.

Liria po kalon një edicion shumë të mirë në Ligën e Parë, ku pas 16 ndeshjeve të zhvilluara renditet në vendin e parë me 39 pikë, gjashtë më shumë se Prishtina e Re, që zë pozitën e dytë.

Susuri, i cili deri më tani ka realizuar pesë gola në kampionat, është shprehur i kënaqur me formën e tij, por ka theksuar se kontributi individual është rezultat i funksionimit të mirë të gjithë skuadrës.

“Kemi punuar shumë që nga fillimi i sezonit dhe besoj se kjo po na shpërblehet me rezultatet që po i arrijmë. Kemi një grup shumë të mirë dhe mendoj se uniteti mes nesh është një nga arsyet kryesore të kësaj ecurie. Sa i përket formës personale, jam i kënaqur, por besoj se edhe paraqitjet e mia janë të lidhura ngushtë me mënyrën se si po funksionon skuadra në tërësi”, ka thënë fillimisht Susuri.

Duke folur për përgjegjësinë që ka si kapiten, ai ka thënë se përpiqet të jetë pranë bashkëlojtarëve në çdo situatë, ndërsa ka vlerësuar përvojën dhe cilësinë që posedojnë futbollistët e Lirisë.

“Të jesh kapiten është gjithmonë përgjegjësi e madhe, sepse duhet të jesh pranë skuadrës si në momentet e mira ashtu edhe në ato më të vështira. Megjithatë, unë ndihem me fat që jam pjesë e këtij klubi. Kemi lojtarë me përvojë dhe shumë cilësi, të cilët e dinë mirë rëndësinë e bashkimit dhe të punës së përbashkët. Kjo ma lehtëson shumë edhe mua detyrën si kapiten”, është shprehur ai.

Kapiteni prizrenas ka folur edhe për golat e realizuar këtë sezon, duke nënvizuar se kënaqësia më e madhe për të mbetet ndihma që i jep skuadrës për të marrë rezultate pozitive.

“Sigurisht që çdo gol të jep kënaqësi, sidomos kur ndihmon skuadrën të fitojë dhe të marrë pikë të rëndësishme. Jam i lumtur që po arrij të kontribuoj edhe me gola, por për mua gjithmonë në plan të parë është suksesi i ekipit. Shpresoj të vazhdojmë me këtë ritëm, sepse besoj shumë në këtë grup dhe në mundësinë që këtë sezon ta arrijmë objektivin që ia kemi vendosur vetes”, ka thënë Susuri.

Sa i përket ndikimit të trajnerit Ismet Munishi në rezultatet e deritanishme, Susuri ka vlerësuar punën e tij, por ka veçuar edhe kontributin e drejtorit Valon Bytyqi në ndërtimin e skuadrës.

Ismet Munishi

Ai ka theksuar se fakti që një pjesë e madhe e futbollistëve kanë punuar edhe më parë me Munishin ka ndihmuar në përshtatjen me kërkesat dhe filozofinë e tij të lojës.

“Trajneri ka pasur një rol shumë të rëndësishëm në ndërtimin e kësaj skuadre, ndërsa një kontribut të madh në këtë drejtim e ka dhënë edhe drejtori Valon Bytyqi. Ajo që na ndihmon shumë është fakti se një pjesë e madhe e lojtarëve kemi punuar edhe më herët me trajnerin Ismet, e njohim mirë mënyrën e tij të punës dhe e kuptojmë se çfarë kërkon nga ne. Kjo na e lehtëson bashkëpunimin dhe besoj se po reflektohet edhe në paraqitjet tona në fushë”, ka deklaruar kapiteni i Lirisë.

Në fund, Susuri ka folur për objektivin e rikthimit në Superligë, duke theksuar se klubi prizrenas duhet të jetë sërish pjesë e elitës së futbollit kosovar dhe të ndërtojë një skuadër stabile në këtë nivel.

Megjithatë, ambiciet e tij personale shkojnë edhe më larg, pasi ëndërron që me fanellën e Lirisë të fitojë trofe dhe të lërë gjurmë në historinë e klubit.

“Liria është një klub me traditë të madhe, ashtu siç është edhe Prizreni një qytet me kulturë të pasur sportive. Besoj se ka ardhur koha që Liria të rikthehet aty ku e ka vendin dhe të jetë një skuadër stabile në Superligë. Këtë besim e kam nga cilësia dhe karakteri i grupit që kemi, por edhe nga përkushtimi i drejtuesve të klubit, të cilët po na qëndrojnë pranë dhe po i përmbushin të gjitha obligimet ndaj nesh”, ka theksuar Susuri.

“Për mua si kapiten, rikthimi në Superligë do të ishte përmbushje e një përgjegjësie që kam ndaj këtij klubi, por jo edhe realizimi i ëndrrës sime më të madhe, sepse ëndrra ime është që një ditë të fitoj tituj dhe të shkruaj histori me fanellën e Lirisë”, ka përfunduar kapiteni Susuri.

Liria do ta zhvillojë edhe një ndeshje deri në përfundim të stinorit vjeshtor, ndërsa synon ta ruajë pozitën e parë dhe epërsinë ndaj ndjekësve, për ta vazhduar më pas garën për rikthimin në Superligë. /Telegrafi/

Lexo edhe

Policia kontrollon 102 lokale e qendra masazhi në Kosovë, mbyllen 15 prej tyre dhe arrestohen tetë persona

Policia kontrollon 102 lokale e qendra masazhi në Kosovë, mbyllen 15 prej tyre dhe arrestohen tetë persona

​ ZKA nis auditimin e furnizimit me ujë të pijshëm

​ ZKA nis auditimin e furnizimit me ujë të pijshëm

Policia kontrollon 102 lokale në Kosovë, mbyllen 15 prej tyre – arrestohen tetë persona për prostitucion

Policia kontrollon 102 lokale në Kosovë, mbyllen 15 prej tyre – arrestohen tetë persona për prostitucion