Lindja e ekspresionizmit abstrakt amerikan

Lindja e ekspresionizmit abstrakt amerikan

Lindja e ekspresionizmit abstrakt amerikan

Kjo fotografi e piktorëve ekspresionistë abstraktë me bazë në Nju-Jork u botua në revistën Life në janar të vitit 1951. Fotografia e quajtur Zemërakët [The Irascibles], paraqiste 15 prej piktorëve kryesorë të lëvizjes. Cila ishte kontroversa që bëri që këta artistë të etiketoheshin si zemërakë? Si dukej puna e tyre në atë kohë?

Sponsor 3M Express

Nga: Tom Anderson / Daily Art Magazine
Përkthimi: Telegrafi.com

Në vitin 1950, një grup prej 18 piktorësh abstraktë amerikanë i shkroi një letër të hapur presidentit të Muzeut Metropolitan të Artit në Nju-Jork, duke protestuar kundër një ekspozite të ardhshme të quajtur Piktura amerikane sot: 1950 [American Painting Today: 1950]. Sipas tyre, përzgjedhja e jurisë për ekspozitën kishte njëanshmëri konservatore dhe nuk do ta përfaqësonte artin modern në Amerikë. Letra u botua në New York Times më 22 maj 1950. Ky ishte fillimi i një serie letrash dhe shkrimesh opinioni të botuara nga gazeta dhe revista të ndryshme, të cilat përfundimisht çuan në një artikull të shkurtër në revistën Life me titull Grupi zemërak i artistëve të avancuar udhëhoqi luftën kundër ekspozitës [Irascible Group of Advanced Artists Led Fight Against Show], i cili përmbante fotografinë ikonike të të gjithë nënshkruesve të letrës fillestare – përveç treve prej tyre.

Zemërakët, 24 nëntor 1950: Nga e majta në të djathtë, prapa: Willem de Kooning, Adolph Gottlieb, Ad Reinhardt, Hedda Sterne; (rreshti tjetër) Richard Pousette-Dart, William Baziotes, Jimmy Ernst, Jackson Pollock (me xhaketë me vija), James Brooks, Clyfford Still (i mbështetur në gju), Robert Motherwell, Bradley Walker Tomlin; (në plan të parë): Theodoros Stamos, Barnett Newman, Mark Rothko (me syze)Foto: Nina Leen/Time Life Pictures

Ky ishte fillimi i njohjes së “Ekspresionizmit Abstrakt” si pjesë e rëndësishme e artit amerikan, një pikë e rëndësishme në karrierat e këtyre artistëve dhe fillimi i një serie përplasjesh mes disa prej tyre. Zemërakët vërtet dolën të ishin më të njohurit ndër ekspresionistët abstraktë. Çfarë po bënin ata rreth vitit 1950 që çoi te kontroversa dhe te fotografia ikonike?

1. Willem de Kooning

Willem de Kooning, “Gërmimi” [Excavation], 1950

Piktura Gërmimi [Excavation] e Willem de Kooningut, e realizuar po atë vit kur u bë fotografia e Zemërakëve, është mjaft e madhe, më shumë se 2 × 2,5 metra. Duket se ka ndikime nga Gernika [Guernica] e Picassos dhe ndoshta edhe nga kantieret e ndërtimit në Nju-Jork, ku jetonte de Kooningu. Menjëherë pasi e përfundoi këtë pikturë, ai nisi punën në serinë Gruaja [Woman], e cila ia mbajti të përqendruar vëmendjen gjatë katër vjetëve të ardhshëm.

2. Adolph Gottlieb

Adolph Gottlieb, “Tinguj të ngrirë nr. 1” [Frozen Sounds #1], 1951

Në vitin 1943, Adolph Gottlieb, Mark Rothko dhe Barnett Newman botuan një letër drejtuar redaktorit të New York Times-it ku, ndër të tjera, thuhej se stili i tyre i pikturës ishte “i shpenguar dhe dhunshëm kundër arsyes së shëndoshë”. Ky është një udhëzim i dobishëm: këto piktura kuptohen më lehtë nëse njeriu mund ta pezullojë arsyen e shëndoshë.

3. Ad Reinhardt

Ad Reinhardt, “Pa titull (E kuqe dhe gri)” [Untitled (Red and Gray)], 1950

Ad Reinhart ishte ndoshta i vetmi ndër ekspresionistët abstraktë që nuk kaloi kurrë nëpër një fazë figurative. Puna e tij ishte gjithmonë abstrakte. Në vitet ‘40 dhe ’50 të shekullit XX, ai realizoi një seri pikturash në nuanca të ndryshme të së kuqes ose të kaltrës. Më vonë vazhdoi të krijonte tablo që ishin tërësisht monokromatike.

4. Hedda Sterne

Hedda Stern, “Nju Jork, NY” [New York, NY], 1955

E vetmja grua në fotografi, Hedda Sterne, qëndron mbi një tavolinë në rreshtin e fundit dhe ngrihet mbi burrat në fotografi.

Sterne emigroi në ShBA në vitin 1941 dhe shumë shpejt nisi të ekspozonte në Galerinë “Betty Parsons Gallery”, si e vetmja piktore grua përkrah Jackson Pollockut, Clyfford Stillit, Barnett Newmanit dhe Mark Rothkos. Më vonë, për faktin se ishte e vetmja grua në fotografi, ajo tha: “Ata ishin të gjithë shumë të zemëruar që unë isha në të, sepse ishin të gjithë aq maço saqë mendonin se prania e një gruaje ia hiqte seriozitetin gjithë kësaj”.

Në fakt, artistet si Joan Mitchell, Grace Hartigan, Elaine de Kooning dhe Lee Krasner ishin një pjesë shumë e rëndësishme e ekspresionistëve abstraktë në Nju-Jork dhe, në atë botë maço, mbetën kryesisht të panjohura deri shumë më vonë.

Hedda Sterne më vonë u ankua gjithashtu: “Njihem më shumë për atë fotografi të mallkuar sesa për 80 vjet punë. Po të kisha ego, kjo do të më shqetësonte”. Për fotografinë ajo tha gjithashtu: “Është gënjeshtër. Unë nuk isha ekspresioniste abstrakte. As Zemërake nuk isha”.

5. Clyfford Still

Clyfford Still, “PH-311”, 1950

Clyfford Still lindi në Dakotën e Veriut dhe jetoi herë pas here në Nju-Jork në vitet 1920-1950, duke u larguar përfundimisht nga Nju-Jorku dhe nga ajo që ai e konsideronte botë e korruptuar e artit të Nju-Jorkut. Kompozimet e Stillit ishin më pak të organizuara se pikturat e fushës së ngjyrës të Mark Rothkos dhe Barnett Newmanit. Në pikturat e Clyfford Stillit, duket sikur ngjyrat janë shqyer nga kanavaca për të zbuluar ngjyra të tjera poshtë tyre.

6. Robert Motherwell

Robert Motherwell, “Elegji për Republikën Spanjolle XXXIV” [Elegy to the Spanish Republic XXXIV], 1953-1954

Në vitin 1948, Robert Motherwell bëri një skicë të vogël me ngjyrë si ilustrim për një poezi të Harold Rosenbergut të titulluar Një zog për çdo zog [A Bird for Every Bird]. Poema dhe skica u botuan në numrin e parë dhe të vetëm të revistës Possibilities – një ide e Motherwellit, Rosenbergut, John Cageit dhe Pierre Chareaus. Poema nuk kishte të bënte aspak me Luftën Civile Spanjolle, por skica u bë imazhi themelor i asaj që përfundimisht do të bëhej një seri prej më shumë se 150 pikturash me atë temë të përbashkët. Disa nga të parat prej tyre u ekspozuan në Galerinë “Samuel Kootz” në Nju-Jork në dhjetor të vitit 1950 – disa javë pasi u bë fotografia e Zemërakëve dhe disa javë para se ajo të botohej.

7. Jackson Pollock

Jackson Pollock, “Numri 1, 1950 (Mjegulla e livandës)” [Number 1, 1950 (Lavender Mist)], 1950

Jackson Pollock përfundimisht u bë më i famshmi ndër ekspresionistët abstraktë, të paktën pjesërisht sepse stili i pikturimit me pikim në kanavaca të mëdha ishte një largim kaq dramatik nga puna e bashkëkohësve të tij. Në gusht të vitit 1949, pak më shumë se një vit para se të bëhej fotografia e Zemërakëve, një artikull në revistën Life pyeste nëse Pollock ishte “piktori më i madh i gjallë në Shtetet e Bashkuara?”. Artikulli në fakt paraqiste argumente në të dyja anët – se ai ishte një gjeni dhe një mashtrues – por, në fund arrinte në përfundimin se “Pollocku, në moshën 37-vjeçare, ka shpërthyer si fenomeni i ri vezullues i artit amerikan”.

8. Barnett Newman

Barnett Newman, “Konkord” [Concord], 1948

Ndërsa kolegu i tij në pikturën e fushës së ngjyrës, Mark Rothko, shpesh i vendoste ngjyrat në katrorë dhe drejtkëndësha të mëdhenj, pikturat e fushës së ngjyrës të Barnett Newmanit shpesh përmbajnë një brez ose vijë vertikale, të cilën ai e quante “zips”, që njëkohësisht i bashkonte dhe i ndante dy pjesët e pikturave.

9. Mark Rothko

Mark Rothko, “Okër dhe e kuqe mbi të kuqe” [Ochre and Red on Red], 1954

Kjo pikturë, duhet pranuar, u realizua pothuajse një dekadë pas fotografisë së Zemërakëve, por është përfaqësuese e stilit për të cilin Mark Rothko njihet më së shumti dhe është një nga pikturat më të dashura në Muzeun e Artit Modern të San Franciskos. Pikturat e tij zakonisht kishin dy, tre ose katër drejtkëndësha të vendosur njëri mbi tjetrin në një kanavacë shumë të madhe. Rothko udhëzonte që ato të vareshin ulët, pranë tokës, dhe e nxiste vëzhguesin t’i shihte nga afër. Përvoja është krejt e ndryshme kur piktura shihet nga afër ose nga larg, por në të dyja rastet mund të jetë shumë prekëse. /Telegrafi/

__________________

Bibliografia:
1. Barbara Hess: Abstract Expressionism, Koln, 2024.
2. The Irascibles: Painters Against the Museum, New York, 1950, Madrid, 2020.

Lexo edhe

Kurti: Anëtarësimi në NATO, prioritet strategjik i Kosovës

Kurti: Anëtarësimi në NATO, prioritet strategjik i Kosovës

Bastisje në Vallandovë, gjendet drogë, ndalohen dy persona

Bastisje në Vallandovë, gjendet drogë, ndalohen dy persona

AKK: Qendrat për Punë Sociale nuk mund të kujtohen vetëm pas tragjedive

AKK: Qendrat për Punë Sociale nuk mund të kujtohen vetëm pas tragjedive

Lindja e ekspresionizmit abstrakt amerikan | Momenti