LEX | Shënimi që e kthen Faik Graincën në rigjykim – Apeli kërkon të zbardhet pse nuk u rrënua mbindërtimi pa leje

LEX | Shënimi që e kthen Faik Graincën në rigjykim – Apeli kërkon të zbardhet pse nuk u rrënua mbindërtimi pa leje

LEX | Shënimi që e kthen Faik Graincën në rigjykim – Apeli kërkon të zbardhet pse nuk u rrënua mbindërtimi pa leje

Gjykata e Apelit e Kosovës ka kthyer në rigjykim një pjesë të rastit ndaj ish-drejtorit të Urbanizmit dhe Mjedisit në Ferizaj, Faik Grainca, ndërsa për akuzën tjetër ndaj tij ka konstatuar parashkrimin absolut të ndjekjes penale.

Sponsor 3M Express

Në të njëjtin vendim, Apeli ka vërtetuar aktgjykimin lirues ndaj Selvije Ramadanit, Xhemajl Tahirit, Ramiz Musliut dhe Lulzim Aliut, duke refuzuar si të pabazuar ankesën e Prokurorisë për këta katër të akuzuar, raporton Gazeta Sinjali.

Vendimi është marrë në seancën e kolegjit të 21 tetorit 2026, pas shqyrtimit të ankesës kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Ferizaj të 23 dhjetorit 2025, me të cilin të gjithë ishin liruar nga akuzat për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Kaluan dhjetë vjet nga lëshimi i lejes, akuza parashkruhet

Akuza e parë ndaj Graincës lidhej me lëshimin e një lejeje ndërtimore më 23 shtator 2016 për një objekt banesor dhe afarist pranë Bibliotekës së Vogël të Qytetit, tani Arkivi Historik i Ferizajt.

Sipas akuzës, leja ishte lëshuar pa pëlqimin e Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve, ndonëse objekti ndodhej brenda perimetrit prej 50 metrash nga ndërtesa e mbrojtur e trashëgimisë kulturore.

Apeli konstatoi se parashkrimi absolut për këtë akuzë kishte arritur më 23 shtator 2026, dhjetë vjet pas veprimit të pretenduar. Për këtë arsye, ndryshoi sipas detyrës zyrtare aktgjykimin e shkallës së parë dhe refuzoi akuzën.

Kjo pjesë e çështjes është përmbyllur për shkak të kalimit të afatit të ndjekjes penale, pa vendosur mbi fajësinë e Graincës.

Shënimi mbi dokumentin e rrënimit duhet të shqyrtohet sërish

Në rigjykim është kthyer akuza që lidhet me veprimet e pretenduara të Graincës më 7 dhjetor 2017, lidhur me ekzekutimin e vendimit për rrënimin e mbindërtimit pa leje.

Në qendër të kësaj pjese të rastit është shënimi i tij në dokumentacionin përkatës:

“Të vërtetohet se a ka aplikuar pala për leje e pastaj të veprohet në bazë të konkluzës.”

Prokuroria pretendonte se përmes këtij veprimi Grainca kishte penguar ekzekutimin e rrënimit, me qëllim të përfitimit pasuror për personin tjetër.

Gjykata Themelore kishte vlerësuar se vetëm ky shënim nuk mjaftonte për të përfunduar se Grainca kishte ndaluar ekzekutimin. Mirëpo, Apeli konstatoi se gjykata nuk kishte sqaruar mjaftueshëm arsyen dhe qëllimin e shënimit.

Sipas kolegjit, aktgjykimit në këtë pjesë i mungonin arsyet e qarta dhe konkrete për faktet vendimtare. Për këtë arsye, urdhëroi shqyrtim të ri gjyqësor, rivlerësim të provave dhe, sipas nevojës, marrjen e provave të tjera.

Vërtetohet lirimi i Ramadanit, Tahirit, Musliut dhe Aliut

Për Selvije Ramadanin, Xhemajl Tahirin, Ramiz Musliun dhe Lulzim Aliun, Apeli vlerësoi se nuk ishte provuar përtej çdo dyshimi se ishin përmbushur elementet e veprave penale që u ishin vënë në barrë.

Kolegji e cilësoi të pambështetur në prova materiale pretendimin e Prokurorisë për bashkërendim të veprimeve mes Graincës dhe Ramadanit për të pamundësuar zbatimin e rrënimit.

Ndërsa lidhur me inspektorët Tahiri dhe Musliu, gjykata vlerësoi se mosvendosja e shiritave për ndalimin e punimeve nuk përbënte vetvetiu vepër penale, pasi nuk ishte provuar qëllimi i kërkuar për përgjegjësi penale.

Me këtë vendim, lirimi nga akuza për katër të akuzuarit mbetet në fuqi, ndërsa ndaj Graincës do të zhvillohet rigjykim vetëm për pjesën që lidhet me pretendimin për pengimin e ekzekutimit të rrënimit.

Shënim: Personi prezumohet i pafajshëm për akuzën e kthyer në rigjykim, derisa fajësia e tij të vërtetohet me vendim të formës së prerë.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

Burimi: Sinjali

Lexo edhe

Policia në Vushtrri arreston dy persona të kërkuar

Policia në Vushtrri arreston dy persona të kërkuar

Çitaku pas takimit të grupit për Hagën: Jemi dakorduar për konfidencialitet, duhet të flasë puna

Çitaku pas takimit të grupit për Hagën: Jemi dakorduar për konfidencialitet, duhet të flasë puna

Efektet e para të fitores së demokratëve – Houstoni ndalon policinë t’i raportojë emigrantët tek autoritetet federale

Efektet e para të fitores së demokratëve – Houstoni ndalon policinë t’i raportojë emigrantët tek autoritetet federale