Taibe Jashari, pensioniste nga Kosova, iu drejtua Gjykatës Kushtetuese pasi institucionet ia refuzuan kërkesën për kompensimin e katër pensioneve të papaguara, të cilat i ishin ndërprerë për shkak se nuk ishte paraqitur për lajmërim periodik në zyrat kompetente.

Sipas rastit KI288/25, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT) fillimisht kishte pezulluar dhe më pas ndërprerë pensionin bazik të moshës për Jasharin, për shkak të mosrespektimit të detyrimit për paraqitje çdo gjashtë muaj, sipas Udhëzimit Administrativ nr. 05/2015.
Pas paraqitjes së mëvonshme në institucionet kompetente, asaj i ishte miratuar riaplikimi dhe i ishte rikthyer pensioni nga data e riaplikimit.
Megjithatë, institucionet ia kishin refuzuar kërkesën për kompensimin retroaktiv të katër pensioneve të papaguara gjatë periudhës së pezullimit.
Pensionistja iu drejtua gjykatës
E pakënaqur me vendimin, Taibe Jashari kishte paraqitur padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Por, me aktgjykimin A.nr.843/2024, të datës 14 maj 2025, Gjykata Themelore ia kishte refuzuar kërkesëpadinë si të pabazuar.
Kundër këtij vendimi, Jashari kishte ushtruar ankesë në Gjykatën e Apelit, ku procedura vazhdonte të ishte në shqyrtim.
“Paraqitja çdo gjashtë muaj cenon dinjitetin e të moshuarve”
Në kërkesën e saj drejtuar Gjykatës Kushtetuese, Taibe Jashari pretendoi se i ishin shkelur të drejtat e garantuara me nenin 23 të Kushtetutës, që mbron dinjitetin e njeriut, dhe nenin 51, që garanton mbrojtjen shëndetësore dhe sociale.
Ajo argumentoi se ndërprerja e pensionit dhe refuzimi i kompensimit retroaktiv përbënin kufizim të kundërligjshëm të së drejtës në pension përmes një akti nënligjor.
Jashari pretendoi gjithashtu se detyrimi për paraqitje fizike çdo gjashtë muaj në zyrat kompetente cenon dinjitetin e personave të moshuar.
Çfarë vendosi Gjykata Kushtetuese?
Gjykata Kushtetuese konstatoi se Taibe Jashari kishte paraqitur ankesë në Gjykatën e Apelit kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore dhe se kjo procedurë ishte ende në zhvillim.
Për këtë arsye, Kushtetuesja vlerësoi se parashtruesja nuk i kishte shteruar të gjitha mjetet juridike në dispozicion përpara se t’i drejtohej kësaj gjykate.
Si rrjedhojë, kërkesa u cilësua e parakohshme dhe u shpall e papranueshme.
Gjykata Kushtetuese nuk vendosi nëse ndërprerja e pensionit ishte e ligjshme apo nëse detyrimi për lajmërim çdo gjashtë muaj cenon dinjitetin e pensionistëve.
Çështja mbetet në shqyrtim në Gjykatën e Apelit, e cila duhet të vendosë lidhur me ankesën e Taibe Jasharit.
Rasti ngre në vëmendje çështjen e detyrimit të pensionistëve për paraqitje periodike dhe pasojat financiare që mund të sjellë mosrespektimi i këtij detyrimi.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
/GazetaSinjali/
Burimi: Sinjali




