LEX | Apeli rrëzon aktgjykimin lirues për tre zyrtarët e Obiliqit – të akuzuarit për korrupsion kthehen në rigjykim

LEX | Apeli rrëzon aktgjykimin lirues për tre zyrtarët e Obiliqit – të akuzuarit për korrupsion kthehen në rigjykim

LEX | Apeli rrëzon aktgjykimin lirues për tre zyrtarët e Obiliqit – të akuzuarit për korrupsion kthehen në rigjykim

Gjykata e Apelit ka anuluar aktgjykimin lirues ndaj tre zyrtarëve komunalë të Obiliqit, të akuzuar për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, duke e kthyer çështjen në rigjykim në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Sponsor 3M Express

Bëhet fjalë për Merita Simnicën, Burim Gërgurin dhe Ibrahim Krasniqin, të cilët më 24 korrik 2025 ishin liruar nga akuza për korrupsion nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Megjithatë, pas ankesës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Gjykata e Apelit ka konstatuar se aktgjykimi lirues përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe nuk është arsyetuar mjaftueshëm.

Vendimi i Apelit është përpiluar më 17 shtator 2026, ndërsa me të është anuluar aktgjykimi i shkallës së parë dhe çështja është kthyer për rigjykim dhe vendosje.

Sipas vendimit, kolegji i Gjykatës së Apelit, i kryesuar nga gjyqtari Mentor Hajra, me anëtarët Skender Çoçaj dhe Xhevdet Abazi, ka vlerësuar se pretendimet ankimore të Prokurorisë janë të bazuara.

Apeli ka konstatuar se Gjykata Themelore nuk ka dhënë arsye të qarta dhe të mjaftueshme lidhur me faktet vendimtare dhe vlerësimin e provave të administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor.

Sipas shkallës së dytë, aktgjykimi i ankimuar është juridikisht i paqëndrueshëm, pasi përshkrimi i gjendjes faktike është i paqartë, ndërsa mungojnë arsyetimet e nevojshme për përfundimet e gjykatës.

Për çfarë akuzohen tre zyrtarët komunalë?

Sipas aktakuzës së ngritur më 30 shtator 2020 nga prokurorja Merrushe Llugiqi, të akuzuarit dyshohet se kanë keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare në lidhje me ndërrimin e destinimit të tokës dhe lejimin e ndërtimeve në Komunën e Obiliqit.

Merita Simnica, në cilësinë e shefes në Drejtorinë për Planifikim Urban, Pronë, Gjeodezi dhe Kadastër, së bashku me ish-drejtorin e kësaj drejtorie, Arben Berisha, akuzoheshin se kishin vepruar në kundërshtim me dispozitat ligjore, duke mundësuar përfitime pasurore për persona të tjerë.

Sipas Prokurorisë, më 3 prill 2019 ishte lëshuar leje ndërtimore për fabrikën e mobileve “Berto”, në pronësi të Blerim Krasniqit, ndonëse Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural kishte refuzuar kërkesën për ndryshimin e destinimit të tokës nga bujqësore në jobujqësore.

Ndërkohë, Burim Gërguri, në cilësinë e kryesuesit të Kuvendit Komunal të Obiliqit, akuzohet se më 26 dhjetor 2018 kishte nënshkruar një vendim për ndryshimin e destinimit të tokës, pavarësisht vendimit refuzues të Ministrisë së Bujqësisë.

Prokuroria pretendon se ky vendim ishte nxjerrë në kundërshtim me Ligjin për Tokën Bujqësore, udhëzimin administrativ përkatës dhe planin zhvillimor komunal e urban 2009–2020.

Në anën tjetër, Ibrahim Krasniqi, në cilësinë e inspektorit të ndërtimit në Komunën e Obiliqit, akuzohet se gjatë viteve 2017 dhe 2018 nuk kishte ndërmarrë masat e nevojshme ligjore për ndërprerjen e ndërtimeve pa leje.

Sipas aktakuzës, bëhet fjalë për objektet e bizneseve “SB Construction”, “Beni-1” dhe “Berto”, të cilave pretendohet se u ishte mundësuar vazhdimi i punimeve pa lejet përkatëse.

Njëri nga të akuzuarit kishte pranuar fajësinë

Në të njëjtën aktakuzë ishte përfshirë edhe Arben Berisha, ish-drejtor i Drejtorisë për Planifikim Urban, Pronë, Gjeodezi dhe Kadastër në Komunën e Obiliqit.

Berisha kishte pranuar fajësinë në seancën fillestare të mbajtur më 15 shkurt 2021, ndërsa Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte dënuar me tre muaj burgim dhe 600 euro gjobë.

Ndryshe nga Berisha, tre të akuzuarit e tjerë ishin liruar nga akuza në korrik të vitit 2025.

Me vendimin e ri të Gjykatës së Apelit, aktgjykimi lirues ndaj Simnicës, Gërgurit dhe Krasniqit nuk mbetet në fuqi, ndërsa çështja do të shqyrtohet sërish nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Kthimi i rastit në rigjykim nuk nënkupton shpalljen fajtorë të të akuzuarve, por rishqyrtimin e çështjes penale dhe të provave nga gjykata e shkallës së parë.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

Burimi: Sinjali

Lexo edhe

Sonte sytë nga El Clasico – Barcelona dhe Real Madridi përballen në “Camp Nou”

Sonte sytë nga El Clasico – Barcelona dhe Real Madridi përballen në “Camp Nou”

Kaos në shkollat e Prishtinës: Grevë, mbeturina dhe paga të vonuara – kush mban përgjegjësi?

Kaos në shkollat e Prishtinës: Grevë, mbeturina dhe paga të vonuara – kush mban përgjegjësi?

Fantastike: Enis Zeqiri merr ftesën e parë te Sonderjyske, mund të debutojë në Superligën e Danimarkës

Fantastike: Enis Zeqiri merr ftesën e parë te Sonderjyske, mund të debutojë në Superligën e Danimarkës