Kuvendi i Kosovës do të mbajë sot seancë plenare, e cila pritet të nisë në orën 12:00, me një sërë pikash të parapara në rendin e ditës.

Sipas njoftimit të Kuvendit, seanca do të nisë me miratimin e procesverbalit nga mbledhja e kaluar, pas së cilës do të zhvillohen deklarimet jashtë rendit të ditës dhe pyetjet parlamentare.
Më pas, deputetët do të shqyrtojnë propozimet e grupeve parlamentare për zëvendësimin dhe emërimin e anëtarëve në komisionet parlamentare, si dhe do të votojnë për miratimin e fushëveprimit të tyre për Legjislaturën XI.
Në rendin e ditës është paraparë edhe shqyrtimi i parë i tri projektligjeve: Projektligjit për Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave, Projektligjit për Regjistrimin e Bujqësisë dhe Projektligjit për Inspektoratin Qendror të Bujqësisë, Sigurisë Ushqimore, Veterinës dhe Pylltarisë.
Po ashtu, deputetët do të shqyrtojnë raportin e Auditorit të Përgjithshëm për Raportin Vjetor të Auditimit të Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2025.
RENDI I DITËS
Miratimi i procesverbalit nga seanca e mëparshme;
Deklarimet jashtë rendit të ditës;
Pyetjet parlamentare;
Propozimi i grupeve parlamentare për zëvendësimin dhe emërimin e deputetëve në komisionet parlamentare;
Miratimi i fushëveprimit të komisioneve parlamentare për Legjislaturën XI;
Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 11/L-021 për Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave;
Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 11/L-019 për Regjistrimin e Bujqësisë;
Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 11/L-022 për Inspektoratin Qendror të Bujqësisë, Sigurisë Ushqimore, Veterinës dhe Pylltarisë;
Shqyrtimi i Raportit të Auditorit të Përgjithshëm për Raportin Vjetor të Auditimit të Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2025.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




