Kuvendi i Komunës së Gjilanit, nën udhëheqjen e kryesueses Krenare Latifi Kqiku, ka mbajtur seancën e nëntë të rregullt për këtë vit, ku është shqyrtuar raporti financiar për periudhën janar–shtator 2026 dhe janë miratuar disa vendime me interes publik.

Gjatë prezantimit të raportit financiar, drejtori për Buxhet dhe Financa, Avdyl Kastrati, ka bërë të ditur se të hyrat vetanake të komunës për këtë periudhë kanë tejkaluar 4.2 milionë euro, duke arritur mbi 73 për qind të planit vjetor. Ndërkaq, shpenzimet e përgjithshme kanë arritur në 33.3 milionë euro.
Në këtë seancë është shqyrtuar edhe propozim-vendimi për shpalljen e interesit të ligjshëm publik për sigurimin e tokës me qëllim të zgjerimit të varrezave të fshatit Lladovë.
Po ashtu, drejtori i Zhvillimit Ekonomik, Haki Huruglica, ka prezantuar propozimin për subvencionimin e ndërmarrjeve publike NPL “Stacioni i Autobusëve” dhe NPL “Tregu”.
Kuvendi ka miratuar edhe raportin përfundimtar për vlerësimin e dëmeve nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë e tjera, si dhe plotësim-ndryshimet për komisionet komunale për emërtimin e rrugëve dhe zgjedhjen e këshillave lokalë.
Ndërkohë, në fillim të seancës, në kuadër të fushatës “Tetori Rozë”, profesionistët shëndetësorë kanë përcjellë mesazhe për rëndësinë e parandalimit dhe zbulimit të hershëm të kancerit të gjirit. Drejtoresha e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Mimozë Kadriu-Qerimi, ka bërë të ditur se në QKMF-në e Gjilanit, që nga viti 2023, ofrohet shërbimi i mamografisë pa pagesë.
Në seancë është prezantuar edhe informata për fillimin e vitit të ri shkollor 2026/2027, ndërsa Draft-Statuti i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore është shtyrë për shqyrtim në mbledhjen e radhës.
Në fund të seancës, Kuvendi ka mbajtur një minutë heshtje në nderim të Arlinda Zekajt, e cila u vra në Vitomiricë të Pejës. /Telegrafi/




