Vajza e axhës së Arlinda Zekajt, e cila u vra në Vitomiricë të Pejës, ka deklaruar për Dukagjinin se e ndjera kishte pasur probleme të vazhdueshme dhe se, sipas saj, pavarësisht se i kishte raportuar rastet, nuk kishte marrë përkrahjen e nevojshme nga institucionet.
Ajo ka thënë se e kishte këshilluar Arlindën që të largohej nga Kosova bashkë me djalin e saj dhe të shkonte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi besonte se atje do të kishte më shumë mundësi për të kërkuar drejtësi.

“Unë i kam thënë mos u merr me këta njerëz këtu, nuk funksionon ligji në Kosovë. Merre djalin, shko në Amerikë”, ka deklaruar ajo.
Sipas saj, Arlinda kishte vendosur të qëndronte në Kosovë, pranë familjes së saj, dhe ishte punësuar këtu.
Duke folur për konfliktet familjare, ajo ka treguar se një nga problemet kishte të bënte me djalin e Arlindës. Sipas rrëfimit të saj, kur Arlinda kishte shkuar për ta marrë djalin pasi e kishte dërguar për vizitë te familja e babait, nuk ia kishin kthyer atë.
Ajo ka kritikuar edhe punën e institucioneve, duke thënë se këto institucione duhet të mbrojnë nënën dhe fëmijën.
“Nuk e di kush e ka djalin. Nuk kem komunikim me ata njerëz. Po të kishte komunikim, problemi do të zgjidhej siç zgjidhet normalisht. Por ata njerëz nuk janë normalë. Ajo, normalisht, e ka çuar djalin për ta vizituar gjyshen, familjen e burrit. Kur ka shkuar për ta marrë, nuk ia kanë dhënë djalin. Aty ka plasur belaja mes tyne. Qysh ndahet fëmija prej nanës? Ku ekziston kjo? Vetëm këtu, sepse i korruptojnë njerëzit, me prokurorë e me çka të jetë. Shërbimi Social, çfarë Shërbimi Social është ai që e ndan fëmijën nga nëna? Shërbimi Social duhet ta mbrojë nënën dhe fëmijën, e jo t’i ndajë. Nuk ka kujdes, askush nuk kujdeset, as gjyshja, as të tjerët, sikur për nënën. Nuk ka drejtësi”, ka theksuar ajo.
Burimi: Dukagjini




