Jo të gjitha çmimet e Topit të Artë përcaktohen përmes të njëjtit sistem votimi. Ndërsa për çmimet kryesore vendosin gazetarët sportivë, disa kategori kanë procedura të veçanta, kurse të tjerat përcaktohen pa votim.

Për Topin e Artë në konkurrencën e meshkujve votojnë 100 gazetarë, nga një për secilin prej 100 shteteve më të renditura në klasifikimin e FIFA-s. Ndërsa për Topin e Artë për femra, juria përbëhet nga 50 gazetarë që përfaqësojnë 50 shtetet e para në këtë renditje.
Të njëjtat juri përcaktojnë edhe fituesit e Trofeut Yashin, për portierët më të mirë, Trofeut Johan Cruyff, për trajnerët më të mirë, si dhe çmimet për klubet më të mira në kategoritë e meshkujve dhe femrave.
Ndryshe funksionon votimi për talentet e reja. Për çmimin që vlerëson futbollistët më të mirë nën moshën 21-vjeçare në kategorinë e meshkujve, votojnë ish-fituesit e Topit të Artë.
Në kategorinë e femrave, vendimi merret nga një juri e veçantë, e përbërë nga ish-fitueset e Topit të Artë, futbollistet që kanë përfunduar në tri vendet e para të çmimit për femra që nga viti 2018, si dhe kryeredaktori i revistës “France Football”.
Ndërkaq, Trofeu Gerd Müller, që vlerëson golashënuesit më të mirë për meshkuj dhe femra, nuk përcaktohet me votim. Fituesit përzgjidhen në bazë të numrit të golave të shënuar gjatë periudhës përkatëse.
Çmimi Socrates, i cili vlerëson angazhimin shoqëror, ndahet nga një komitet i lidhur me revistën “France Football”, gazetën “L’Équipe” dhe organizatën “Peace and Sport”.
Si përcaktohet fituesi i Topit të Artë?
Secili gazetar përzgjedh dhjetë kandidatë dhe u ndan pikë sipas renditjes: 15, 12, 10, 8, 7, 5, 4, 3, 2 dhe 1 pikë. Futbollisti ose futbollistja që grumbullon më së shumti pikë shpallet fitues i çmimit prestigjioz.
Kështu, fituesit e Topit të Artë dhe çmimeve të tjera përcaktohen përmes procedurave të ndryshme, varësisht nga kategoria që vlerësohet.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




