Kurti udhëton drejt Brukselit për Samitin BE-Ballkani Perëndimor

Kurti udhëton drejt Brukselit për Samitin BE-Ballkani Perëndimor

Kurti udhëton drejt Brukselit për Samitin BE-Ballkani Perëndimor

Kryeministri Albin Kurti ka udhëtuar drejt Brukselit, ku do të marrë pjesë në Samitin Bashkimi Evropian – Ballkani Perëndimor.

Sponsor 3M Express

Kjo është bërë e ditur nga zyra për media e shefit të ekzekutivit, transmeton Klankosova.tv.

 Liderët e Bashkimit Evropian dhe të shteteve të Ballkanit Perëndimor mblidhen sot në samitin në Bruksel i cili shihet si një mundësi tjetër që institucionet e bllokut evropian të riafirmojnë përkushtimin ndaj politikës së dyerve të hapura për vendet e rajonit, nëse ato përparojnë në reformat e nevojshme për t’u afruar me strukturat evropiane.

Mikpritës të këtij takimi janë krerët e institucioneve të BE-së: presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, dhe presidentja e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen.

I vetmi që ka konfirmuar se nuk do të marrë pjesë në samitin e sivjetëm është kryetari i Kuvendit të Serbisë dhe ushtruesi i detyrës së presidentit, Aleksandar Çupiq.

Për këtë arsye, diplomatët e BE-së konsiderojnë se Serbia “me shumë gjasë” nuk do të pajtohet me deklaratën përfundimtare të samitit. Deklaratën e miratojnë liderët e vendeve të BE-së, ndërsa vendet e rajonit ftohen të pajtohen me të.

 Sipas raportimit të Radios Evropa e Lirë, liderët evropianë do të riafirmojnë përkushtimin e plotë dhe të pakushtëzuar ndaj perspektivës së anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në BE. Në draft-deklaratë, zgjerimi përshkruhet si një mundësi reale që duhet shfrytëzuar dhe si investim gjeostrategjik në paqen, sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin evropian.

Vendeve të rajonit u bëhet thirrje që të përshpejtojnë reformat vendimtare dhe të besueshme, veçanërisht në fushën e çështjeve themelore, dhe të përmbushin obligimet e nevojshme për përparim në rrugën evropiane.

“Përshpejtimi i procesit të anëtarësimit, i bazuar në reformat e besueshme të partnerëve, kushtëzimin e drejtë dhe të rreptë dhe parimin e meritave individuale, është në interesin tonë të përbashkët”, thuhet në dokument.

 Liderët e BE-së pritet të theksojnë edhe rëndësinë e përkushtimit të vendeve të rajonit ndaj vlerave dhe parimeve evropiane, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, demokracinë, të drejtat themelore dhe sundimin e ligjit. Pritet që këtë përkushtim vendet e rajonit ta dëshmojnë me veprime konkrete, përkatësisht duke marrë përgjegjësi dhe duke zbatuar reformat e nevojshme, veçanërisht në fushën e çështjeve themelore dhe sundimit të ligjit.

“Madhërimi i kriminelëve të luftës, mohimi i gjenocidit dhe revizionizmi historik janë në kundërshtim me vlerat më themelore evropiane. U bëjmë thirrje të gjithë partnerëve të Ballkanit Perëndimor që të kultivojnë një kulturë respekti dhe solidariteti me të gjitha viktimat, si dhe të respektojnë dhe zbatojnë vendimet e gjykatave ndërkombëtare dhe vendore për krimet e luftës”, thuhet në draft-deklaratë.

Aty po ashtu thuhet se nevojiten përpjekje shtesë për pajtim dhe stabilitet në rajon. Këto përpjekje nevojiten për të gjetur zgjidhje përfundimtare, gjithëpërfshirëse dhe të detyrueshme për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dhe çështjeve dypalëshe.

Në këtë kontekst përmendet zbardhja e të gjitha rasteve të mbetura të personave të zhdukur dhe çështjeve të pazgjidhura lidhur me krimet e luftës, duke garantuar përgjegjësi dhe drejtësi. Vendeve të rajonit u kërkohet gjithashtu të përmbushin të gjitha obligimet e mbetura nga Marrëveshja për Çështjet e Suksesionit.

“Bashkëpunimi gjithëpërfshirës rajonal, pajtimi dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë mbeten thelbësore për ndërtimin e një të ardhmeje të përbashkët, si dhe për zbatimin në mirëbesim të marrëveshjeve ndërkombëtare dhe arritjen e rezultateve konkrete”, thuhet në draft-deklaratë.

Pjesë e kësaj deklarate, që pritet të miratohet, përmendet edhe dialogu për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Aty vlerësohet se mungesa e normalizimit të marrëdhënieve vazhdon t’i pengojë të dyja palët në rrugën evropiane.

Negociatat për anëtarësimin e Serbisë kanë ngecur viteve të fundit, ndërkaq Kosova është i vetmi vend në rajon që ende nuk ka statusin e vendit kandidat. Prishtina ka dorëzuar aplikimin për anëtarësim në dhjetor të vitit 2022, por deri më tani ai nuk është shqyrtuar nga institucionet e BE-së.

 BE-ja në draft-deklaratë po ashtu riafirmon mbështetjen për dialogun dhe u bën thirrje Serbisë dhe Kosovës që të shfrytëzojnë “momentin aktual politik”.

Kosova dhe Serbia nuk kanë mbajtur asnjë takim të nivelit të lartë politik që nga shtatori i vitit 2023. Takimi u fundit u zhvillua pak ditë para sulmit nga një grup i serbëve të armatosur ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit.

Synimi, sipas draft-deklaratës, është që Kosova dhe Serbia të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialog dhe të arrijnë pa vonesa përparim konkret drejt zbatimit të plotë të të gjitha marrëveshjeve të arritura.

Kosova dhe Serbia kanë arritur një sërë marrëveshjesh në kuadër të dialogut që ka nisur më 2011. Por, jo të gjitha janë zbatuar, me gjithë thirrjet e vazhdueshme nga BE-ja që palët t’i zbatojnë ato.

Të dyja palëve u rikujtohet gjithashtu se mbështetja financiare nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor është e kushtëzuar me angazhim konstruktiv, përparim të matshëm dhe rezultate konkrete në normalizimin e marrëdhënieve.

Sipas deklaratës, përafrimi me politikën e jashtme dhe atë të sigurisë së BE-së mbetet shprehje e fuqishme e orientimit strategjik të vendeve të rajonit. Kjo përfshin edhe zbatimin e masave kufizuese dhe parandalimin e shmangies së tyre.

“U shprehim mirënjohje partnerëve të Ballkanit Perëndimor që janë përafruar plotësisht me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë dhe u bëjmë thirrje atyre që ende nuk e kanë bërë këtë, të ndjekin shembullin e tyre”, thuhet në tekstin e draft-deklaratës.

Sipas zyrtarëve evropianë, Serbia është i vetmi vend i Ballkanit Perëndimor që nuk është plotësisht i përafruar me këtë politikë. Shkalla e përafrimit të saj aktualisht është rreth 59 për qind, ndërsa vendet e tjera të rajonit janë plotësisht të përafruara.

Deklarata përmend edhe luftën në Ukrainë. Aty thuhet se Brukseli riafirmon mbështetjen për paqe gjithëpërfshirëse, të drejtë dhe të qëndrueshme në Ukrainë, të bazuar në parimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe të drejtën ndërkombëtare, me garanci të forta dhe të besueshme të sigurisë për Ukrainën.

“Do të vazhdojmë t’i ofrojmë mbështetje gjithëpërfshirëse Ukrainës dhe popullit të saj në mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës nga lufta agresore e Rusisë, në koordinim me partnerët që ndajnë të njëjtat qëndrime”, thuhet në dokument.

 

 

Lexo edhe

Trump shqyrton mundësinë e faljes për shefin e Nvidia-s pas akuzave për shkelje ligjore

Trump shqyrton mundësinë e faljes për shefin e Nvidia-s pas akuzave për shkelje ligjore

Hysa kundër Kabayelit, ja kush shihet favorit në përballjen e madhe

Hysa kundër Kabayelit, ja kush shihet favorit në përballjen e madhe

Austria hap vende të reja pune sezonale, përfiton edhe Kosova

Austria hap vende të reja pune sezonale, përfiton edhe Kosova