Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar që Kosova të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe të nisë negociatat për anëtarësim.
Duke folur para mediave në Samitin e Procesit të Berlinit, që po mbahet në Miloçer, pranë Budvës në Mal të Zi, Kurti tha se Kosova i ka dëshmuar funksionalitetin demokratik, stabilitetin institucional dhe rritjen ekonomike.

“Tani është koha që vendi ynë të marrë statusin e kandidatit dhe të hapë negociatat për hyrjen në BE. Mu për këtë do të bëj thirrje sot dhe çdo ditë, kundrejt çdo lideri të BE-së, që të kërkojnë opinionin nga Komisioni Evropian për këtë çështje”, u shpreh Kurti.
Samiti i Procesit të Berlinit mbledh liderë të Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësues të Bashkimit Evropian për të diskutuar integrimin evropian të rajonit, reformat dhe hapat e nevojshëm drejt anëtarësimit në BE.
Në takim pritet të marrin pjesë edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kancelari gjerman, Friedrich Merz, kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviç, kancelari austriak, Christian Stocker, si dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski.
Pjesëmarrës të tjerë janë komisionerja e BE-së për Zgjerim, Marta Kos, ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani, dhe ministri francez për Evropën, Benjamin Haddad.
Diskutimet do të përqendrohen në bashkëpunimin rajonal, zbatimin e reformave dhe perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Liderët e Ballkanit Perëndimor mblidhen në Mal të Zi, merr pjesë edhe Kurti
Burimi: Dukagjini




