Sipas njoftimit nga Zyra e Kryeministrit, fillimisht Kurti të pranishmëve u shprehu ngushëllime për shkuarjen në amshim të Bahri Efendi Simnicës, profesor i Medresesë së Mesme “Alaudin”, në Prishtinë, ish-drejtor aty dhe njëkohësisht ish kryeredaktor i revistës “Dituria Islame”.
“Kryeministri tha se aftësitë dhe mundësitë për të prodhuar dhe organizuar dije, nga kërkimi dhe studimi, te diskutimi si dhe nga reflektimi dhe teorizimi deri te shkrimi, janë përcaktuese për jetëgjatësinë e një shoqërie dhe përparimin e saj në histori”, thuhet në njoftim.

Duke folur rreth historikut të mejtepeve dhe medreseve te shqiptarët gjatë shek. XX, kryeministri tha se ‘për fatin e mirë të ne shqiptarëve, dekada të tëra përpjekje, sakrifice, rezistence dhe lufte, u shpërblyen në dekadën e fundit të shekullit të kaluar, me rënien e regjimit komunist në Shqipëri dhe me çlirimin e Kosovës nga Serbia okupatore, pasuar nga jetësimi i shtetit të Kosovës.
“Kështu sot, medresetë në Kosovë dhe në Shqipëri funksionojnë lirshëm, si shkolla fetare por edhe si institucione edukative dhe shkencore të sistemeve tona arsimore’”, tha ai.
Burimi: RTKLive




