Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur në seancën e sotme për vrasjen e Arlinda Zekajt në Vitomericë të Pejës, duke kërkuar masa konkrete institucionale për parandalimin e rasteve të dhunës ndaj grave.

Kurti theksoi se as zhgënjimi, as xhelozia dhe as ndjenja e refuzimit nuk mund të justifikojnë dhunën, duke nënvizuar se askush nuk ka të drejtë t’ia mohojë tjetrit mundësinë për t’i dhënë fund një marrëdhënieje.
“As zhgënjimi, as xhelozia dhe as ndjenja e refuzimit, nuk e bëjnë legjitime përpjeken për ta detyruar dikë të qëndrojë. Askush nuk mund ta kërkojë vazhdimin e një marrëdhënie, duke ia mohuar tjetrit të drejtën për të dalë prej saj. Dhuna e vendosë pikërisht këtë detyrim, që gruaja ta organizojë jetën sipas frikës nga dhunuesi”, u shpreh ai.
Ai propozoi dy ndërhyrje konkrete, me synimin për të rritur përgjegjësinë institucionale dhe për të përmirësuar mbrojtjen e personave që janë në rrezik.
“Propozoj dy ndërhyrje konkrete, të ngarkojmë Ministrinë e Punëve të Brendshme që përmes strukturave kompetente të policisë të organizojë brenda 72 orëve rishikimin urgjent të rasteve aktive me rrezik të lartë. Për secilin rast të dokumentohen masat e sigurisë, zyrtari përgjegjës për ndjekjen e tyre dhe bashkërendimi me institucionet përkatëse, qëndrore dhe lokale, përfshirë zbatimin policor të urdhërave mbrojtës dhe reagimin ndaj alarmeve të mbikqyrjes elektronike”.
“Gjithashtu, brenda 72 orëve, Ministria e Drejtësisë të vijë me një raport të detajuar që zbardh gjithë reagimin apo mosreagimin e secilës hallk të zinxhirit institucional në këtë rast”, u shpreh Kurti./Klankosova.tv




