Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka paralajmëruar se organizimi i Lojërave Mesdhetare 2030 mund të vihet në rrezik për shkak të mungesës së bashkëpunimit me Komunën e Prishtinës.

Një nga çështjet kryesore të mospajtimit, sipas Kurtit, lidhet me ndryshimet në masterplanin e Lojërave Mesdhetare, ku garat e xhudos janë paraparë të zhvillohen në Prishtinë dhe jo në Pejë, siç ishte planifikuar fillimisht.
“Është për të ardhur keq që, kur po përfundojnë mbledhjet dhe diskutimet shteruese, po dalin në opinion publik sulme të brendshme. Ne duhet të jemi unikë për këtë gjë dhe kjo mungesë e unitetit të brendshëm na ka sjellë në këtë pikë ku po rrezikohet organizimi i Lojërave Mesdhetare”, ka deklaruar Kurti.
Pavarësisht vështirësive dhe mospajtimeve, Kurti ka thënë se vazhdon të jetë optimist për organizimin e këtij eventi sportiv, ndonëse e ka cilësuar optimizmin e tij si të përmbajtur.
“Unë vazhdoj të jem optimist, por natyrisht jam optimist i përmbajtur, për shkak se kush bën mirë nuk e ka kollaj të shtyhet me dikë që e bën të kundërtën”, ka theksuar ai.
Kurti ka vlerësuar bashkëpunimin me Komitetin Olimpik të Kosovës, por ka kritikuar Komunën e Prishtinës, duke thënë se gjatë procesit të përgatitjeve janë shfaqur dallime, mospajtime dhe mungesë besimi ndërmjet palëve.
“Këtu ka pasur dallime dhe mospajtime, ka edhe mosbesime. Kjo është situata në të cilën ndodhemi. Do ta bëjmë më të mirën e mundshme, por do ta bëjmë me çdo kusht pa korrupsion. Prandaj edhe besoj që dikush ka hasur në vështirësi tek ne”.
Kryeministri ka kundërshtuar ndryshimin e lokacionit për garat e xhudos, duke theksuar se masterplani aktual devijon nga dokumenti me të cilin Kosova kishte aplikuar për organizimin e Lojërave Mesdhetare. Sipas tij, ky ndryshim lë jashtë Rrafshin e Dukagjinit dhe bie ndesh me investimet e bëra në Pejë për këtë sport.
“Kemi devijim me draftin e masterplanit prej librit me të cilin kemi aplikuar dhe ky devijim përfshin përjashtimin e Rrafshit të Dukagjinit. Nuk mund ta paramendoj që garat për xhudo të mos mbahen në Pejë. Janë paraparë të mbahen në Prishtinë. Këto janë mospajtimet.Pesë milionë euro i kemi investuar për xhudo në Pejë dhe tash na u dashka që garat për xhudo të mbahen në Prishtinë. Ky është absurditet”, tha ai.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





