Kurti: Buxheti 2027 me mbi një miliard euro për investime kapitale

Kurti: Buxheti 2027 me mbi një miliard euro për investime kapitale

Kurti: Buxheti 2027 me mbi një miliard euro për investime kapitale

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se projektligji për buxhetin e vitit 2027 do të miratohet të hënën në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë, ndërsa ka paralajmëruar se për herë të parë buxheti për investime kapitale do të tejkalojë një miliard euro.

Në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, Kurti ka folur edhe për proceset zgjedhore, duke kujtuar zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 dhe zgjedhjet e mëvonshme që, sipas tij, u mbajtën për shkak të bllokadave politike dhe pamundësisë së konstituimit të institucioneve.

Sponsor 3M Express

Ai ka thënë se pavarësisht zgjedhjeve të njëpasnjëshme, Lëvizja Vetëvendosje ka vazhduar të mbetet subjekti më i madh politik në vend.

“Nga 9 shkurti 2025, kur fituam sërish bindshëm në zgjedhje pas një mandati të plotë, për shkak të bllokadave që prodhuan zgjedhje, Republika e Kosovës nuk pati stabilitet institucional të plotë. E bllokuan zgjedhjen e kryeparlamentarit, pastaj të kryeministrit e së fundmi edhe të presidentit”, ka deklaruar Kurti.

Ai ka shtuar se në secilin proces zgjedhor rezultati konfirmonte mbështetjen për LVV-në. “Në secilat palë zgjedhje rezultati pak a shumë konfirmohej: Lëvizja Vetëvendosje vazhdonte dhe vazhdon të mbetet subjekti politik më i madh në vend e në kuvend. Për besimin e madh të palëkundur, pavarësisht sfidave nëpër të cilat kaluam, nga zgjedhjet në zgjedhje, Lëvizja Vetëvendosje dhe unë u jemi mirënjohës pafundësisht qytetarëve të Republikës në Kosovë e në mërgatë”, ka thënë ai.

Kurti ka përmendur edhe zgjedhjen e Presidentes më 6 tetor, duke falënderuar 62 deputetët e koalicionit të tij që morën pjesë dhe votuan për Justina Shiroka Pulën.

Kurti: Aktgjykimi i Speciales është i padrejtë, duhet të korrigjohet në Shkallën e Apelit

Sa i përket aktgjykimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë, Kurti e ka cilësuar atë të padrejtë dhe ka kërkuar që të korrigjohet në Shkallën e Apelit. “Ky aktgjykim patjetër duhet ndryshuar dhe korrigjuar në Shkallën e Apelit dhe atë sa më parë”, ka deklaruar Kurti.

Ai ka bërë të ditur se Qeveria ka miratuar themelimin e një grupi punues për hartimin dhe harmonizimin e strategjisë shtetërore lidhur me procedurat e apelit në Dhomat e Specializuara në Hagë. Sipas tij, grupi përbëhet nga përfaqësues të institucioneve dhe subjekteve politike parlamentare dhe udhëhiqet nga zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca.

Duke folur për buxhetin e vitit 2027, Kurti ka thënë se ai do të fokusohet në projekte kapitale, rritjen ekonomike dhe përmirësimin e cilësisë së vendeve të punës.

“Do të jetë buxhet i projekteve kapitale, i përshpejtimit të rritjes ekonomike dhe i rritjes së cilësisë së vendeve të punës. Pra, jo vetëm më shumë vende pune, por vende pune me paga më të mira”, ka deklaruar Kurti.

Ai ka theksuar se buxheti do të përfshijë investime në infrastrukturë rrugore, hekurudha dhe diga, si dhe mbështetje për komunat.

“Ky është buxhet i rrugëve, hekurudhave dhe i digave. E për herë të parë, buxheti për investime kapitale do të tejkalojë vlerën 1 miliard euro. Do të jetë buxhet edhe për komunat me gjithsej 908 milionë euro. Kjo përbën një rritje prej 2/3 krahasuar me buxhetin të cilin e kishim trashëguar”, ka thënë ai.

Në fjalën e tij, kryeministri është ndalur edhe te procesi i integrimit evropian, duke thënë se Kosova i plotëson kushtet për marrjen e statusit të vendit kandidat dhe hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Ai ka bërë të ditur se për periudhën 2026–2027 Kosova pritet të përfitojë 180.5 milionë euro nga fondet e para-anëtarësimit IPA, ndërsa këtë vit ka siguruar edhe 119 milionë euro grante nga Korniza Investuese për Ballkanin Perëndimor.

Kurti ka përmendur edhe 61.8 milionë euro parafinancim nga Plani i Rritjes, si dhe kërkesën për lirimin e 153 milionë eurove për reformat e zbatuara deri në qershor.

Ai ka theksuar se miratimi i ligjit për SEPA-n më 15 tetor pritet të sjellë kursime prej rreth 55 milionë eurosh në vit nga transfertat bankare.

Po ashtu, ka bërë të ditur se Qeveria është duke negociuar për anëtarësimin e Kosovës në zonën e roamingut të Bashkimit Evropian, gjë që, sipas tij, do të ulë kostot e telefonisë për qytetarët dhe bizneset gjatë udhëtimeve në vendet e BE-së.

Kurti për protestat në Shqipëri: Kosova nuk është dhe nuk do të jetë rivale e motrës së saj

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se zhvillimet politike dhe protestat në Shqipëri po përcillen me shqetësim, duke theksuar se Kosova nuk duhet të shihet si rivale e Shqipërisë.

Kurti ka thënë se protestat në Shqipëri, të cilat sipas tij për rreth katër muaj ishin paqësore, në tetor u shoqëruan edhe me përplasje më të forta mes protestuesve dhe forcave të rendit.

“Shqipërinë e duam gjithmonë dhe pavarësisht rrethanave. Ajo është pjesë e pandashme e qenies sonë kombëtare. Prandaj zhvillimet atje i përcjellim me shqetësim, me kujdes, me përgjegjësi dhe gjithsesi me dashuri”, ka thënë Kurti.

Ai ka theksuar se përparimi demokratik i Shqipërisë është përgjegjësi historike kombëtare.

“Është e rëndësisë jetike që ne shqiptarët t’ia dëshmojmë vetes se dimë të ndërtojmë drejtësi e demokraci që i qëndron trysnisë së kapitalizmit dhe qeverisje që nuk i përkulet oligarkisë”, ka deklaruar ai.

Kurti ka komentuar edhe zërat që, sipas tij, kanë tentuar ta lidhin Lëvizjen Vetëvendosje me protestat në Shqipëri.

“Unë kam parë me habi zëra të ndryshëm që janë përpjekur t’ia faturojnë edhe Vetëvendosjes këto protesta që zhvillohen në Republikën e Shqipërisë. Por, të dashur delegatë të Këshillit të Përgjithshëm dhe aktivistë e anëtarë të tjerë, ne sot jemi forcë qeverisëse dhe nuk jemi forcë protestuese”, ka thënë Kurti.

Ai ka shtuar se LVV-ja nuk ka instrumentalizuar protesta dhe as nuk ka pranuar të instrumentalizohet nga të tjerët.

“Ne jemi në krye të Qeverisë së Republikës së Kosovës e Kosova nuk është dhe nuk do të jetë kurrë rivale e motrës së saj. Ne gëzohemi për avancimet e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian apo për arritjet e ekonomisë dhe të turizmit në Shqipëri”, ka deklaruar kryeministri.

Kurti ka shprehur dëshirën që arritjet e Shqipërisë të konsolidohen dhe të zgjerohen përmes projekteve të përbashkëta me Kosovën në fusha të ndryshme.

Duke folur për përplasjet gjatë protestave, ai ka thënë se dhuna dhe lëndimet e njerëzve janë shqetësuese, porse duhet të analizohen edhe shkaqet që çojnë në përplasje.

“Por nuk mjafton të përcaktohen vetëm përgjegjësit penalë të dhunës. Duhet të kuptohen edhe rrënjët e saj, kushtet që ushqejnë atë dhe arsyet që i shndërrojnë kundërshtitë në përplasje. Rendi publik dhe liria e protestës duhet të mbrohen njëkohësisht”, ka theksuar Kurti në mbledhjen e 64-t të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje.

Ai ka vënë në pah edhe rëndësinë e përfshirjes së të rinjve në vendimmarrje dhe krijimit të kushteve për një të ardhme me dinjitet në Shqipëri.

“Ne duam një Shqipëri ku demokracia i mbijeton çdo qeverisjeje, ku institucionet janë më të forta se cilat do forca të padrejtësisë e ku drejtësia është një konventë dhe aksion shoqëror në të cilën liria kombëtare merr kuptim përmes drejtësisë shoqërore”, ka përfunduar Kurti.

Burimi: RTKLive

Lexo edhe

77 mijë tifozë në San Siro, Milani dhe Interi përballen në derbin e 240-të historik – formacionet e mundshme

77 mijë tifozë në San Siro, Milani dhe Interi përballen në derbin e 240-të historik – formacionet e mundshme

Protestuesit hedhin bomba molotovë, policia përgjigjet me gaz lotsjellës dhe ujë

Protestuesit hedhin bomba molotovë, policia përgjigjet me gaz lotsjellës dhe ujë

Dy të rinj nga Vushtrria kapen në Morinë, ishin dënuar nga Gjermania me nga 15 vjet burgim

Dy të rinj nga Vushtrria kapen në Morinë, ishin dënuar nga Gjermania me nga 15 vjet burgim

Kurti: Buxheti 2027 me mbi një miliard euro për investime kapitale | Momenti