Kryetari i Gjykatës Administrative, Kreshnik Kaçiu, zhvilloi sot kolegjiumin e radhës me gjyqtarët e katër departamenteve të gjykatës: Departamentit Fiskal; për Konteste të Punës; për Skemat Sociale dhe Pensionale të financuara nga shteti; dhe Departamentit të Përgjithshëm, ku temë e vetme e rendit të ditës ishte efikasiteti në zgjidhjen e lëndëve.

Gjatë këtij kolegjiumi, u konstatua se efikasiteti në zgjidhjen e lëndëve në tre mujorin e tretë të vitit 2026, nuk ka qenë i kënaqshëm. Prandaj, kryetari Kaçiu, kërkoi nga të gjithë gjyqtarët angazhim maksimal dhe përkushtim të vazhdueshëm në rritjen e efikasitetit në trajtimin dhe zgjidhjen e lëndëve si dhe ngritje substanciale të normës së zgjidhjes së lëndëve.
Në kolegjium, një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe mundësisë së vendosjes për lëndët pa mbajtjen e seancave gjyqësore, në rastet kur plotësohen kushtet ligjore për një procedurë të tillë.
Në përmbyllje të takimit, kryetari Kaçiu ritheksoi rëndësinë e angazhimit individual dhe përgjegjësisë profesionale të secilit gjyqtar, në arritjen e rezultateve konkrete në zgjidhjen e lëndëve, me synim ofrimin e drejtësisë në kohë të arsyeshme dhe rritjen e besimit të publikut në sistemin gjyqësor.
Burimi: Insajderi





