Gati 2,200 migrantë kanë mbërritur me varka në Ishujt Kanarie të Spanjës brenda vetëm dy ditësh, duke shkaktuar shqetësim te autoritetet për rritjen e fluksit në një nga rrugët më të rrezikshme të migracionit në botë.
Sipas Shërbimit Spanjoll të Shpëtimit Detar, ekipet kanë ndihmuar 1,324 persona të cilët ndodheshin në 14 gomone, shumica e të cilëve mbërritën në ishullin El Hierro, që ka rreth 12 mijë banorë, raporton AP.

Numri i personave të shpëtuar iu afrua rekordit ditor të kësaj rruge migratore, prej 1,461 personash, të regjistruar në nëntor të vitit 2020.
Punonjësit e Kryqit të Kuq kanë pritur të ardhurit në porte, duke u siguruar veshje të thata, ushqim dhe ujë, si dhe duke regjistruar mbërritjen e tyre.
Spanja kishte shpallur më herët emergjencë migratore në Ishujt Kanarie, pas rritjes së mbërritjeve gjatë javëve të fundit, veçanërisht nga vendet e Afrikës Sub-Sahariane.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme spanjolle, më shumë se 13 mijë nga mbi 28 mijë personat që mbërritën në Spanjë përmes detit nga janari deri në fund të tetorit kishin zbritur në Ishujt Kanarie.
Shumica e migrantëve nisen nga Mauritania dhe vende të tjera të Afrikës Perëndimore, duke përshkuar Oqeanin Atlantik me mjete të improvizuara lundrimi. Udhëtimi mund të zgjasë disa ditë ose edhe javë dhe konsiderohet një nga rrugët më vdekjeprurëse të migracionit.
Burimi: Dukagjini





