Ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës, Rrezarta Krasniqi, ka kërkuar që letra e Arlinda Zekajt të vendoset në çdo institucion të Republikës së Kosovës, krahas fotografisë së Presidentes, si kujtesë për dështimin institucional në mbrojtjen e grave.

Krasniqi ka thënë se letra e Arlindës, sipas saj, e pasqyron më qartë se kurrë mjerimin institucional dhe dështimin e shtetit për të garantuar sigurinë e grave.
Sipas saj, ky veprim do të duhej të shërbente si thirrje për ndërgjegjësim për çdo zyrtar të institucioneve të sigurisë, para se të ndërmarrë ndonjë veprim apo të marrë vendim, sidomos në rastet kur jeta e grave është në rrezik.
Postimi i plotë:
Letra lapidare e Arlinda Zekajt, e cila e vizaton si kurrë më parë mjerimin institucional dhe dështimin monumental të shtetit, duhet të vendoset në çdo institucion të Republikës, krahas fotografisë së Presidentes.
Ky akt do duhej ta prekte ndërgjegjen e çdo zyrtari në institucionet e sigurisë, para çdo veprimi apo vendimi, sidomos kur rrezikohet jeta e grave.
Por, në asnjë mënyrë nuk pres që kjo të bëhet nga udhëheqësit e sotëm institucionalë, të cilët, në kushte normale, do të duhej të dorëhiqeshin para asaj hallkës përgjegjëse të (pa)drejtësisë në Pejë, ku përgjegjësit tashmë do të duhej të ishin në burg.
Prandaj, ju ftoj të gjithëve, jo veç nesër, por të protestojmë çdo ditë para qeverisë e institucioneve të tjera të drejtësisë, për revoltë kombëtare për mbrojtjen e jetës dhe sigurisë së grave në Kosovë. Për siguri e liri për gratë e gjalla e drejtësi për gratë e vrara!
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




