(Retorika kërcënuese që ekspozon përcaktimin revizionist të të dy krahëve politikë)
Autorë: Arben Fetoshi & Gjon Culaj
Përtej manipulimit konstant në funksion të pushtetit, sa herë që Serbia përballet me kriza të brendshme, e sidomos gjatë fushatave zgjedhore, Kosova rikthehet fuqishëm në qendër të retorikës së saj nacionaliste. Ajo vazhdon të përdoret si simbol i strategjisë së “viktimizimit”, si nxitje për mobilizimin e elektoratit dhe si instrument për politikën revizioniste lidhur me “padrejtësinë historike”, që duhet të korrigjohet.
Deklarata e ministrit të Brendshëm dhe liderit të Partisë Socialiste të Serbisë, Ivica Daçiq se “herët a vonë flamuri serb do të valojë mbi Prizren”, e ekspozon qasjen kërcënuese dhe destabilizuese të Serbisë ndaj Kosovës. E bërë gjatë një mitingu elektoral në Rashkë, ajo nuk ishte thjesht shprehje nostalgjike, por refuzim i njohjes së realitetit (me Kosovën e pavarur) dhe paralajmërim për vazhdimin e strategjisë hibride kundër stabilitetit e konsolidimit të saj ndërkombëtar (Danas, 07/10/2026).
Në një rajon i cili vazhdon të përballet me pasojat e luftërave të viteve 1990, një deklaratë e tillë s’mund të trajtohet thjesht si retorikë elektorale, sepse është provokuese dhe kërcënon me qëllimin e rikthimit të kontrollit serb.
Kësisoj, ajo e demaskon ‘konstruktivitetin’ e Serbisë në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, duke manifestuar synimet e saj të vërteta me procesin e ‘normalizimit’. Për këtë arsye, retorika nacionaliste me epiqendër Kosovën, është modeli politik që duhet të trajtohet si rrezik për paqen e sigurinë rajonale, si sabotim i procesit të normalizimit dhe si kërcënim për kredibilitetin e BE-së.
“Trajtat” e Kosovës në retorikën zgjedhore
Kërcënimi i Daçiqit me flamurin serb mbi Prizren, akuzat e Vuçiqit se Lista Studentore “do ta njohë Kosovën dhe do t’i vendosë sanksione Rusisë” (Vreme, 11.10.2026), mbështetja për “Serbinë e Bashkuar” nga kryeministri sllovak, i cili në një miting të këtij subjekti premtoi se “nuk do t’i zhgënjejë kurrë lidhur me Kosovën” (Klix.ba, 16.10.2026), mbështetja ruse nga Maria Zakharova me sloganin “Kosova është Serbi” (Politika, 16.10.2026), projektimi i “armikut” nga Petar Petkoviq me Albin Kurtin si mbështetës i Listës Studentore (Nin, 09.10.2026), pretendimet nga Jovanoviq dhe Gajiq të opozitës për “rikthimin e Kosovës” (N1, 10.10.2026), si dhe mbështetja e ndarë, por për motive të njëjta e Listës Serbe dhe opozitës serbe në Kosovë (RSE, 24.09.2026), janë disa nga trajtat e evidentuara të instrumentalizimit të Kosovës, si emërues i përbashkët në garën
për zgjedhjet e 25 tetorit në Serbi.
Ato jo vetëm që e formësojnë qëndrimin e njëjtë të pushtetit të ardhshëm në raport me Kosovën, por edhe vazhdimësinë e rreshtimit gjeopolitik me Rusinë. Përgjigja e studentëve lidhur me sanksionet ndaj Rusisë, jo vetëm që e konfirmon një gjë të tillë, por edhe “mbrojtjen” e Kosovës ata e projektojnë përmes Moskës (Masina.rs, 30.09.2026).
Aleksandër Vuçiq mbetet prijësi i kësaj retorike, duke përsësitur se “nuk do ta njohë kurrë Kosovën” (Tanjug, 14/10/2026), pavarësisht se ajo e sfidon dialogun dhe e mban Serbinë peng të një politike destabilizuese (Hehir, 2025:15). Rivaliteti ndaj tij nuk përfaqëson distancim nga nacionalizmi që e ka dominuar politikën serbe për dekada (Vulović, 2023:530), sepse edhe një pjesë e opozitës e Lista Studentore mbështeten në të njëjtat narrativa për Kosovën, konstaton Boris Varga nga Qendra për Studime të Ballkanit Perëndimor (Varga, 2026).
Prandaj, Kosova edhe në këto zgjedhje rezulton faktor determinues, duke lënë në hije çështjet reale të interesit qytetar në Serbi, derisa nga ana tjetër, Rusia ftohet për vëzhgimin e tyre, duke manifestuar konceptimin e saj si faktor legjitimimi. Zëdhënësja e ministrisë së Jashtme, Zakharova, konfirmoi se do të dërgojnë përfaqësues nga të dyja dhomat e parlamentit, nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe vëzhgues në kuadër të misionit të OSBE/ODIR-it (RT Balkan, 21.10.2026).
Konsensusi që mban peng ‘normalizimin’
Mungesa e llogaridhënies për sulmin terrorist në Banjskë (2023), implikimi në sulmin ndaj kanalit të Ibër Lepencit (2024), afrimi i vazhdueshëm me Rusinë dhe sforcimi i qëndrimit agresiv ndaj Kosovës në retorikën e brendshme e ndërkombëtare, e afektojnë pashmangshëm procesin e normalizimit të ndërmjetësuar nga Brukseli (European Commission, 2025:65). Bashkimi Evropian nuk mund të kufizohet vetëm në thirrje për përmbajtje, qetësi e vazhdim të dialogut, ndërsa vazhdojnë deklaratat kërcënuese të politikës serbe për “flamurin mbi Prizren”.
Dialogu s’mund të ketë sukses duke e ‘ndëshkuar’ Kosovën për veprimet e saj ligjore dhe duke e ‘shpërblyer’ Serbinë, pavarësisht shmangies strategjike nga politika e jashtme e BE-së. Suksesi dhe besueshmëria e ndërmjetësit varet nga zbatimi i standardeve të njëjta ndaj palëve dhe kushtëzimi i Serbisë me respektimin dhe implementimin obligimeve të marra (Pavković et al., 2026).
Pa llogaridhënie, kërkesat për dialog mbesin thjesht deklarata, kurse mungesa e pasojave politike për Serbinë, e vë në pikëpyetje seriozitetin e angazhimit ndërkombëtar. Nëse BE-ja synon të ketë rol të besueshëm ndërmjetësimi, duhet ta bëjë të qartë se çfarë pret nga Kosova, çfarë pret nga Serbia, cilat shkelje janë dokumentuar dhe cilat janë pasojat në rast të moszbatimit (Stepaniuk, 2023:94-95).
Sepse, fushata aktuale për zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit, tregoi se një pjesë e opozitës dhe Lista Studentore kanë qasje edhe më të ashpër nacionaliste. Këtë e kanë konstatuar edhe gazetarët Iva Martinoviq dhe Dushan Komarçeviq në artikullin “Çfarë mesazhi dërgojnë studentët protestues në Serbi me ‘Memorandumin’ për Kosovën?”, të pubkikuar në Radion Evropa e Lirë më 19 maj të këtij viti (Martinović &Komarčević, 2026).
Kjo do të thotë se për Kosovën mesazhi mbetet i qartë: nuk mjafton largimi i Vuqiçit nga pushteti derisa idetë politike edhe të palës tjetër janë të njëjta. Një opozitë që i referohet Kosovës si “grabitje territoriale” dhe një listë studentore që e konsideron atë “pjesë të Serbisë”, ndërsa refuzon sanksionet ndaj Rusisë (CFWBS, 02/10/2026), nuk mund të jetë alternativa për ‘normalizimin’, as ndryshimi i proklamuar për Serbinë demokratike.
Burimi: Dukagjini




