Komisioni Evropian ka miratuar të mërkurën Paketën e Zgjerimit Komisioni Evropian ka miratuar të mërkurën Paketën e Zgjerimit dhe raportet e progresit për vendet që synojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian, ku vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe Kosovës dhe Serbisë.

Gjatë prezantimit të raportit për Kosovën në Parlamentin Evropian, komisionerja e BE-së për Zgjerim, Marta Kos, ka deklaruar se bllokadat institucionale dhe kriza politike kanë ndikuar në zbatimin e reformave evropiane gjatë periudhës raportuese.
Megjithatë, ajo ka vlerësuar se së fundmi Kosova ka intensifikuar zbatimin e agjendës së reformave, duke shprehur shpresën se stabiliteti i ripërtërirë institucional do t’i mundësojë vendit të shënojë përparim.
“Bllokada institucionale ka ndikuar në zbatimin e reformave që lidhen me Bashkimin Evropian gjatë periudhës raportuese. Megjithatë, së fundmi Kosova ka intensifikuar zbatimin e agjendës së reformave. BE-ja e ka mirëpritur zgjedhjen e presidentes së re dhe shpresojmë që stabiliteti i ripërtërirë institucional do t’i mundësojë Kosovës të përparojë”, ka deklaruar Kos.
Duke folur për amendamentet e propozuara për Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës, të njohura si Gjykata Speciale, Kos ka paralajmëruar se ndryshimet e tilla ligjore mund të paraqesin pengesë në procesin e integrimit evropian. Ajo ka bërë të ditur se kjo çështje është në diskutim me Qeverinë e Kosovës, duke theksuar pritjet që vendi t’i përmbushë obligimet e tij.
Një tjetër çështje e ngritur gjatë konferencës për media ishte perspektiva e Kosovës për marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE.
Kos ka theksuar se hapi i ardhshëm është arritja e pajtimit të të gjitha 27 shteteve anëtare për t’i kërkuar Komisionit Evropian përgatitjen e një opinioni për aplikimin e Kosovës për anëtarësim.
Ajo ka thënë se Komisioni është i gatshëm ta ndërmarrë këtë hap, por ka nënvizuar se Kosovës i nevojiten institucione të qëndrueshme dhe përparim në reforma për të bindur shtetet anëtare.
Ndërkohë, në raportet e progresit për Kosovën dhe Serbinë kërkohet përmbushja e obligimeve që dalin nga dialogu për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Për vazhdimin e dialogut dhe mundësinë e mbajtjes së një takimi të nivelit të lartë mes liderëve të Kosovës dhe Serbisë ka folur edhe shefja e Politikës së Jashtme të BE-së, Kaja Kallas.
Ajo ka bërë të ditur se ka zhvilluar takime me të dyja palët dhe se liderët e tyre kanë shprehur gatishmërinë për t’u ulur në një takim të përbashkët me të.
Kallas ka theksuar se janë zhvilluar edhe përgatitjet për këtë takim, ndërsa procesin po e mbështet edhe përfaqësuesi i posaçëm i BE-së për dialogun Beograd-Prishtinë.
Megjithatë, për mbajtjen e takimit të radhës në nivel të lartë, sipas zhvillimeve të fundit, pritet fillimisht formimi i Qeverisë së re në Beograd.




