Një lajm i mirë vjen nga Shtetet e Bashkuara, ku janë vërejtur sërish nuselalat me këmbë të zeza (black-footed ferret), një prej gjitarëve më të rrallë në Amerikën e Veriut, që dikur konsiderohej i zhdukur plotësisht.

Sipas New York Post, kjo specie po mbijeton dhe po shfaq shenja rikuperimi në Parkun Kombëtar Badlands, në Dakotën e Jugut.
Këto kafshë janë kryesisht aktive gjatë natës dhe mund të flenë deri në 21 orë në ditë.
Ato jetojnë të vetmuara, përveç periudhës së shumimit dhe kujdesit për të vegjlit.
Nuselalat me këmbë të zeza u shpallën të zhdukura për shkak të shkatërrimit të habitatit dhe sëmundjeve.
Megjithatë, ato u rizbuluan në vitet 1980, duke nxitur programe të posaçme për shumimin dhe rikthimin e tyre në natyrë.
Sipas Fondit Botëror për Natyrën (WWF), humbja e habitatit dhe sëmundjet vazhdojnë të jenë kërcënimet kryesore për mbijetesën e tyre.
Biologët vlerësojnë se nevojiten rreth 3 mijë nuselala të rritura në natyrë për të siguruar rikuperimin afatgjatë të kësaj specieje të rrezikuar.
Përpjekjet e ruajtjes po japin shpresë se një kafshë që dikur konsiderohej e humbur përgjithmonë mund të ketë sërish një të ardhme në natyrë. /Telegrafi/




