Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, priti sot në takim delegacionin e Komisionit Politik të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, të përbërë nga përfaqësues të nëntë shteteve anëtare të Aleancës.

Zëvendëskryeministri Konjufca, gjatë takimit rikonfirmoi përcaktimin e palëkundur të Republikës së Kosovës për anëtarësim në NATO, duke theksuar se ky anëtarësim do t’i shërbente sigurisë afatgjatë të Kosovës dhe të gjithë Ballkanit Perëndimor.
Ai theksoi se anëtarësimi në NATO do t’i jepte shprehje institucionale përkatësisë euroatlantike të Kosovës, e cila mbështetet në historinë e çlirimit, vlerat demokratike dhe vullnetin e gjerë qytetar. Zëvendëskryeministri Konjufca nënvizoi se anëtarësimi në Aleancë mbetet një nga synimet themelore të politikës së jashtme të Republikës së Kosovës.
Ndër të tjera, ai vlerësoi mbështetjen që Asambleja Parlamentare e NATO-s i ka dhënë Kosovës, si dhe rëndësinë e diplomacisë parlamentare në avancimin e marrëdhënieve dhe afrimin e vendit me Aleancën.
Duke folur për sigurinë rajonale, ai theksoi nevojën për një mjedis të qëndrueshëm sigurie në Ballkanin Perëndimor, që u reziston ndryshimeve politike dhe kufizon mundësitë për destabilizim. Sipas tij, anëtarësimi i Kosovës në NATO do ta forconte sigurinë rajonale, duke e vendosur vendin brenda sistemit të mbrojtjes kolektive dhe duke zgjeruar bashkëpunimin ndërmjet aleatëve.
Zëvendëskryeministri Konjufca theksoi se Republika e Kosovës synon ta mbrojë sigurinë e ndërtuar në bashkëpunim me aleatët e saj, si pjesë e së njëjtës Aleancë euroatlantike.
Burimi: RTKLive




