Dy kongresistë republikanë amerikanë i kanë dërguar një letër sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, duke shprehur shqetësim për gjendjen e demokracisë dhe sundimin e ligjit në Shqipëri. Ata kërkojnë që Departamenti i Shtetit të shqyrtojë vendosjen e kufizimeve të vizave ndaj zyrtarëve shqiptarë të dyshuar për korrupsion të konsiderueshëm.

Përfaqësuesit republikanë Joe Wilson nga Karolina e Jugut dhe Keith Self nga Teksasi i kërkojnë administratës amerikane të përdorë autoritetin e parashikuar në Seksionin 7031(c) të ligjit për ndarjet buxhetore të Departamentit të Shtetit, për të shpallur publikisht zyrtarët shqiptarë dhe, kur është e zbatueshme, anëtarët e familjeve të tyre të ngushta, për të cilët ekzistojnë informacione të besueshme mbi përfshirjen në korrupsion të konsiderueshëm, raporton FoxNews.
Në letrën drejtuar Rubios, kongresistët theksojnë se Shtetet e Bashkuara kanë investuar ndjeshëm në reformat e drejtësisë në Shqipëri, por paralajmërojnë se përparimi i arritur mbetet i brishtë dhe rrezikon të zhbëhet në disa fusha kyçe.
Ata i kanë kërkuar administratës amerikane që deri më 5 nëntor t’u përgjigjet katër pyetjeve, përfshirë angazhimin për shqyrtimin e zyrtarëve shqiptarë për kufizime vizash, mbështetjen për reformën në drejtësi dhe punën e Ambasadës së SHBA-së në Tiranë për mbrojtjen e protestuesve dhe gazetarëve.
Rasti i Belinda Ballukut në fokus
Një nga çështjet për të cilat kongresistët kërkojnë informacion është edhe rasti i ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, e cila është akuzuar për ndërhyrje në procedurat e prokurimit publik për ndërtimin e rrugëve.
Sipas raportimeve, prokurorët kërkuan në dhjetor të vitit 2025 që parlamenti t’i hiqte imunitetin, në mënyrë që ajo të mund të arrestohej. Kryeministri Edi Rama e cilësoi kërkesën jokushtetuese, ndërsa parlamenti nuk ka lejuar vazhdimin e procedurës së kërkuar për arrestimin e saj.
Kongresistët argumentojnë se institucionet kundër korrupsionit nuk mund të japin rezultate nëse drejtuesit politikë mbrojnë zyrtarët që janë nën hetim.
Në një deklaratë për Fox News Digital, Wilson tha se Kongresi amerikan është thellësisht i shqetësuar për situatën në Shqipëri, duke përmendur përdorimin e forcës kundër qytetarëve që kërkojnë llogaridhënie dhe institucione të pastra.
Ai theksoi gjithashtu se korrupsioni dhe trafikimi i drogës, për të cilat pretendohen lidhje me qeverinë Rama, duhet të kundërshtohen.
Protestat kundër qeverisë Rama
Shqetësimet e kongresistëve vijnë në një kohë kur Shqipëria po përballet me protesta të nxitura nga akuzat për korrupsion, problemet në arsim, papunësia dhe mungesa e mundësive.
Demonstratat e fundit në Tiranë kanë përfshirë thirrje për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Situata është tensionuar pasi protestuesit kanë hedhur kokteje Molotov drejt Ministrisë së Arsimit dhe janë përplasur me policinë. Protestuesit kanë shënjestruar gjithashtu selinë e Partisë Socialiste, transmeton Telegrafi.
Rama i ka cilësuar protestat si të nxitura nga interesa të jashtme, duke pretenduar se disa prej pjesëmarrësve nuk përfaqësojnë studentët, por krimin e organizuar. Ai ka refuzuar të japë dorëheqjen, ndërsa ka propozuar dialog me protestuesit.
Lëvizja protestuese kërkon llogaridhënie, luftë kundër korrupsionit dhe forcimin e institucioneve demokratike dhe të sundimit të ligjit.
Rruga drejt Bashkimit Evropian
Zhvillimet e fundit mund të ndikojnë edhe në rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Shqipëria mori statusin e vendit kandidat në vitin 2014 dhe ka vijuar negociatat për anëtarësim. Raporti vjetor i Komisionit Evropian për vitin 2025 vlerësoi përparimin në reformën në drejtësi dhe në luftën kundër krimit të organizuar, por akuzat e vazhdueshme për korrupsion dhe tensionet politike mbeten sfida për procesin e integrimit.
Situata në Shqipëri është krahasuar gjithashtu me protestat masive në Serbinë fqinje, ku studentët kanë udhëhequr një lëvizje kundër korrupsionit dhe kanë kërkuar llogaridhënie nga institucionet.
Agim Nesho, ish-ambasador i Shqipërisë në Kombet e Bashkuara dhe në Shtetet e Bashkuara, tha për Fox News se zhvillimet në Serbi përbëjnë një paralele me situatën në Shqipëri.
Sipas Neshos, studentët dhe qytetarët shqiptarë kanë protestuar që nga maji, ndërsa kërkesat për dorëheqjen e Ramës janë intensifikuar mes akuzave për korrupsion të përhapur dhe përkeqësim të shërbimeve publike.
Përplasjet e brendshme, akuzat për korrupsion dhe presioni ndërkombëtar po e vendosin Shqipërinë përballë një sfide të rëndësishme për besueshmërinë e institucioneve dhe vazhdimin e procesit të integrimit evropian./Telegrafi/




