Një komision hetimor i Kombeve të Bashkuara ka akuzuar Izraelin se ka vazhduar të kryejë gjenocid në Gaza, pavarësisht armëpushimit të arritur në tetor të vitit 2025.

Në raportin e publikuar të hënën, komisioni thotë se sulmet ajrore, bombardimet me artileri, përdorimi i dronëve dhe të shtënat me armë kanë vazhduar, ndërsa municione të rënda dhe të padrejtuara janë përdorur në zona të banuara, transmeton Telegrafi.
Sipas raportit, që nga hyrja në fuqi e marrëveshjes së armëpushimit, të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara, janë vrarë 1,431 persona, përfshirë të paktën 300 fëmijë dhe 130 gra. Komisioni pretendon se veprimet e autoriteteve izraelite synojnë të shkatërrojnë, tërësisht ose pjesërisht, palestinezët në Gaza.
Raporti akuzon gjithashtu ushtarët dhe rojet izraelite në burgje për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Bregun Perëndimor, përfshirë shfarosjen, torturën, përdhunimin, forma të tjera të dhunës seksuale dhe persekutimin e civilëve.
Komisioni, i cili u krijua në vitin 2021 dhe përbëhet nga tre anëtarë, thekson se situata në Bregun Perëndimor është përkeqësuar ndjeshëm që nga 7 tetori 2023. Sipas raportit, Izraeli po zbaton në këtë territor atë që komisioni e përshkruan si “strategjinë e shkatërrimit total” të përdorur në Gaza.
Raporti pretendon se civilët palestinezë po shënjestrohen qëllimisht për shkak të racës, përkatësisë etnike, gjinisë dhe moshës. Sipas të dhënave të paraqitura nga komisioni, gjashtë persona u vranë nga sulmet ajrore në Bregun Perëndimor gjatë periudhës 2008–2023, ndërsa më shumë se 250 persona u vranë nga tetori 2023 deri më 30 shtator 2026.
Në të njëjtën periudhë trevjeçare, forcat izraelite kanë vrarë gjithsej 1,080 palestinezë në Bregun Perëndimor, përfshirë Jerusalemin Lindor, dhe kanë plagosur afro 11 mijë të tjerë, thuhet në raport. Komisioni ka dokumentuar gjashtë raste konkrete dhe pretendon se viktimat ishin të paarmatosura, nuk përbënin kërcënim dhe u vranë pa paralajmërim.
Dokumenti ngre gjithashtu akuza për përdorimin e dhunës seksuale në Bregun Perëndimor, me qëllim zhvendosjen, nënshtrimin dhe destabilizimin e palestinezëve. Kryetari i komisionit, Srinivasan Muralidhar, deklaroi se vrasja dhe plagosja e qëllimshme e civilëve, shkatërrimi i shtëpive dhe mohimi i vazhdueshëm i përgjegjësisë nga Izraeli janë pjesë e një strategjie më të gjerë për shfarosjen dhe zhvendosjen e palestinezëve.
Komisioni akuzon Izraelin edhe për zgjerimin e kontrollit mbi territorin e Gazës, duke përforcuar vijën e përkohshme të armëpushimit me të paktën nëntë baza të reja ushtarake.
Sipas raportit, zonat nën kontrollin izraelit janë zgjeruar nga 53 për qind e territorit, siç parashikohej fillimisht në marrëveshje, në të paktën 60 për qind. Dokumenti e përshkruan vijën e armëpushimit, të njohur si “Vija e Verdhë”, si një kufi faktik që po zgjerohet gradualisht.
Raporti thotë se mungesa e komunikimit të qartë nga autoritetet izraelite për kufijtë e kësaj vije ka shkaktuar viktima civile, pasi disa palestinezë i janë afruar ose e kanë kaluar atë pa e kuptuar se po hynin në një zonë të ndaluar.
Izraeli i ka hedhur poshtë akuzat, duke e cilësuar raportin të njëanshëm dhe pjesë të një “fushate dezinformimi” që synon demonizimin e vendit dhe shkatërrimin e shtetit hebre. Ambasadori izraelit në OKB, Daniel Meron, tha se përpjekjet për të minuar legjitimitetin e Izraelit dhe të drejtën e tij për të ekzistuar e për t’u mbrojtur vazhdojnë edhe sot.
Izraeli ka mohuar më herët akuzat për gjenocid, duke këmbëngulur se sulmet e tij janë përgjigje ndaj shkeljeve të armëpushimit nga Hamasi dhe se ushtria ndërmerr të gjitha masat e mundshme për të shmangur viktimat civile.
Sipas autoritetit shëndetësor të Gazës, i drejtuar nga Hamasi, më shumë se 74 mijë persona kanë vdekur gjatë luftës. Të dhënat nuk bëjnë dallim mes civilëve dhe luftëtarëve. Konflikti nisi pas sulmit të Hamasit në tetor 2023, kur u vranë rreth 1,200 izraelitë dhe 251 persona u morën peng. Izraeli ka deklaruar se synon shkatërrimin e Hamasit për të parandaluar përsëritjen e sulmit.
Raporti kritikon edhe Autoritetin Palestinez, i cili administron pjesë të Bregut Perëndimor, duke e akuzuar për shënjestrimin e personave me qëndrime kundërshtuese. Sipas komisionit, aktivistë të të drejtave të njeriut dhe gazetarë janë vrarë ose plagosur, ndërsa këto raste nuk janë hetuar siç duhet.
Komisioni hetimor nuk përfaqëson qëndrimin zyrtar të të gjitha shteteve anëtare të OKB-së. Raporti u publikua një ditë para zgjedhjeve të përgjithshme në Izrael, ku kryeministri veteran Benjamin Netanyahu synon të sigurojë një mandat tjetër. /Telegrafi/




