Duke e ndjekur ndeshjen nga tribunat e “Allianz Arena”, Klopp komentoi për “DAZN” mënyrën se si skuadra e drejtuar nga Vincent Kompany vepronte kur nuk e kishte topin, duke u ndalur veçanërisht te roli i sulmuesit Harry Kane.
“Edhe sot e kësaj dite nuk e kam kuptuar plotësisht se çfarë bën Bayerni kur nuk e ka topin. Por dua të vazhdoj të mësoj”, deklaroi Klopp.

Ai theksoi se Bayerni ndryshonte shpesh mënyrën e mbulimit të kundërshtarëve, duke kaluar nga mbrojtja individuale në skema të përziera, çka sipas tij e bënte të vështirë të kuptohej qartë organizimi taktik i skuadrës.
“Herë luajnë me një sistem të përzier, herë me mbulim individual dhe herë jo. Ende po përpiqem ta kuptoj”, shtoi trajneri gjerman.
Një tjetër çështje që tërhoqi vëmendjen e Kloppit ishte pozicionimi i Harry Kanes, i cili në momente të caktuara të ndeshjes zbriste deri në zonën e tij për të ndihmuar në mbrojtje.
“Harry ishte kudo në fushë. Me topin, mendoj se kjo është në rregull, por çfarë ndodh kur skuadra nuk e ka topin?”, u shpreh Klopp, duke lënë të kuptohet se ende nuk e kishte të qartë rolin e sulmuesit anglez në organizimin mbrojtës të Bayernit.
Megjithatë, paraqitja e Kane-s ndaj Arsenalit ishte e rëndësishme në aspektin ofensiv. Sulmuesi anglez krijoi raste për shënim, asistoi për golin e Alphonso Daviesit dhe më pas realizoi nga pika e bardhë, duke i dhënë përkohësisht epërsinë skuadrës bavareze.
Trajneri i Bayernit, Vincent Kompany, reagoi duke vlerësuar lëvizjet dhe inteligjencën e Kane-s në fushë. Sipas tij, sulmuesi anglez di të shfaqet në momentet e duhura dhe të marrë vendimet e duhura, edhe kur pozicionimi i tij nuk është gjithmonë i parashikueshëm për kundërshtarët.
“Ajo që Harry bën shumë mirë, dhe unë jam përballur me të shumë herë, është se ndonjëherë duket sikur nuk është aty, por në fund shfaqet në momentin e duhur. Ai është kudo dhe merr vendime të sakta jashtëzakonisht shpesh”, deklaroi Kompany.
Ndërkohë, sipas raportimit, edhe Kane pranoi pas ndeshjes se lëvizjet taktike të Arsenalit krijuan vështirësi për Bayernin. Sulmuesi vuri në dukje se skuadra qëndroi për një kohë të gjatë shumë prapa në fushë, veçanërisht në 15 minutat e fundit, para golit të barazimit të Declan Rice në minutën e 82-të.
Barazimi 2-2 la hapësirë për diskutime rreth organizimit mbrojtës të Bayernit, ndërsa komentet e Kloppit dhe përgjigjja e Kompanyt sollën në vëmendje rëndësinë e rolit taktik të Kane-s në lojën e skuadrës gjermane.
Burimi: RTKLive




