Një rast shqetësues lidhur me një fond humanitar në platformën “GoFundMe” është bërë publik nga Aida Krasniqi Fekaj, nëna e vajzës Ajra, e cila pretendon se paratë e mbledhura për trajtimin dhe operimin e vajzës së saj nuk i janë dorëzuar as familjes dhe as spitalit ku ajo po trajtohet në Turqi, shkruan Insajderi.

Sipas një statusi në Facebook të nënës, fondi ishte hapur nga Atifete Berisha, me banim në Zvicër, me lejen e familjes dhe me qëllimin që donacionet të përdoreshin për shpenzimet mjekësore të Ajrës.
Por, familja pretendon se për gati dy muaj është përballur me premtime se paratë janë transferuar ose se transferimi drejt spitalit Memorial në Turqi është në proces. Megjithatë, sipas nënës, asnjë pagesë nuk ka arritur në llogarinë e spitalit dhe as në llogarinë bankare të familjes.
“Personi në fjalë ka pretenduar vazhdimisht se paratë e mbledhura nga GoFundMe janë transferuar në llogarinë bankare të spitalit Memorial. Por, pavarësisht të gjitha pretendimeve, paratë nuk kanë arritur kurrë në llogarinë e spitalit! 3–4 HERË PREMTIME, DOKUMENTE DHE PRETENDIME TË PAREALIZUARA”, shkruan ajo në status.
Aida Krasniqi Fekaj pretendon se në disa raste u janë dërguar dokumente që ngrehin dyshime për autenticitetin e tyre. Njëra prej tyre, sipas familjes, dyshohet se është përgatitur me ndihmën e inteligjencës artificiale dhe nuk përbën dëshmi të vlefshme të një transferimi bankar.
Familja pretendon se Atifete Berisha kishte premtuar edhe ardhjen personalisht në Turqi për t’i dorëzuar paratë, madje kishte deklaruar se kishte siguruar bileta udhëtimi, por as ky premtim nuk ishte realizuar.
“Personi me inicialet A.B. ka pretenduar madje se do të vinte personalisht në Turqi për t’i dorëzuar paratë e GoFundMe. Ka deklaruar se kishte nxjerrë edhe bileta udhëtimi dhe se do të vinte për ta zgjidhur çështjen personalisht. Edhe ky premtim nuk u realizua”, shkruan tutje ajo.
Sipas nënës, pasojat e kësaj situate po i bart drejtpërdrejt vogëlushja Ajra. Për shkak të mospagesës së shërbimeve, familja thotë se spitali Memorial ka ndërprerë disa shërbime, ndërsa ekziston shqetësimi se mund të mos realizohet as aktivizimi i aparaturës VNS, e rëndësishme për trajtimin e saj.
Reagimi i plotë:
Burimi: Insajderi




