Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF dhe Asociacioni i Qendrave për Punë Sociale i janë drejtuar me një kërkesë të përbashkët Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, për sigurimin e financimit të qëndrueshëm për shërbimet sociale dhe themelimin e Grantit Specifik për Shërbimet Sociale, si prioritet në Buxhetin e vitit 2027.
Financimi i mbrojtjes sociale në Kosovë mbetet kryesisht i përqendruar në transfere monetare, ndërsa shërbimet sociale vazhdojnë të marrin një pjesë shumë të vogël të buxhetit të sektorit. Në vitin 2024, Kosova shpenzoi rreth 854.6 milionë euro për mbrojtjen sociale, prej të cilave vetëm 1.6% u dedikuan për shërbimet sociale. Ky disproporcion dëshmon nevojën për një qasje më të balancuar të financimit, e cila, krahas mbështetjes përmes transfereve monetare, investon më shumë në parandalim dhe në shërbime profesionale për fëmijët dhe familjet.

Në vijën e parë të ofrimit të shërbimeve janë 38 Qendra për Punë Sociale dhe rreth 50 organizata të licencuara. Megjithatë, ato përballen me mungesë të burimeve njerëzore, financimit dhe kushteve të punës. Në komunat e mëdha, një zyrtar i QPS-së menaxhon rreth 350 lëndë aktive në vit, ndërsa në shumicën e komunave Organet e Kujdestarisë nuk janë të kompletuara me pesë profesionistët e kërkuar me ligj. Njëkohësisht, organizatat e licencuara rrezikojnë ndërprerjen e shërbimeve për shkak të mungesës së financimit të qëndrueshëm.
Prandaj, kërkojmë krijimin e Grantit Specifik për Shërbimet Sociale, si mekanizëm për financim të qëndrueshëm, transparent dhe të bazuar në nevojat e komunave. Aktualisht për shërbimet sociale ndahen rreth 20 milionë euro në vit, ndërsa sipas analizave financiare nevojiten edhe 16 milionë euro shtesë, për të siguruar financimin e përgjithshëm prej 36 milionë eurosh në vit, apo rreth 0.4% të buxhetit të Kosovës.
“Propozojmë që Qeveria të: Alokojë buxhet për punësimin e 200 zyrtarëve të rinj të shërbimeve sociale në QPS, si dhe për përmirësimin e infrastrukturës dhe kushteve të punës.Të rrisë buxhetin e dedikuar për thirrjen publike për organizatat e licencuara për ofrimin e shërbimeve sociale, me qëllim të sigurimit të qëndrueshmërisë së këtyre shërbimeve dhe zgjerimit të mbështetjes për fëmijët dhe familjet në nevojë, miratojë Grantin Specifik për Shërbimet Sociale në kuadër të Projektligjit për Financat e Pushtetit Lokal dhe finalizojë kostimin dhe formulën e alokimit të grantit, bazuar në nevojat dhe kapacitetet e komunave”, thuhet në njoftim.
Burimi: RTKLive




