Një shtetas i Kosovës, me inicialet B.B., është ekstraduar nga Belgjika në Kosovë, pasi kërkohej me urdhërarrest ndërkombëtar të lëshuar nga institucionet e drejtësisë së Kosovës.

Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim dhe bashkëpunim me njësitet e tjera relevante të Policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë, ka realizuar me sukses ekstradimin.
Sipas njoftimit të Policisë, ekstradimi është realizuar më 25 nëntor 2026, ndërsa B.B. kërkohej për veprën penale “Legalizim i përmbajtjes së rreme”.
Pas ekstradimit, i dyshuari iu dorëzua njësive përkatëse të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjakovë, për vazhdimin e procedurave të mëtejshme ligjore.
Ndërkaq, Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor ka bërë të ditur se do të vazhdojë shkëmbimin e informacioneve me institucionet vendore, shtetet dhe organizatat ndërkombëtare.
Ky bashkëpunim, sipas Policisë, synon parandalimin, hetimin dhe zbulimin e aktiviteteve kriminale, identifikimin e kryerësve të veprave penale, si dhe gjurmimin, kapjen dhe arrestimin e personave dhe grupeve kriminale që veprojnë brenda dhe jashtë vendit.
Burimi: Insajderi





