Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar se njësia B2 e Termocentralit Kosova B pritet të rikthehet në operim mëngjesin e së hënës, më 26 tetor, pas ndaljes së kontrolluar për shkak të një defekti teknik.

Sipas KEK-ut, ekipet teknike janë mobilizuar për sanimin e problemit, ndërsa punimet po zhvillohen me dinamikë të përshpejtuar. Bazuar në vlerësimet aktuale, defekti pritet të sanohet deri të dielën në mbrëmje.
Në njoftimin e saj, KEK-u ka theksuar se defektet teknike mund të paraqiten në çdo termocentral dhe ka kundërshtuar cilësimin e ndaljes së njësisë si “kolaps energjetik”, duke vlerësuar se deklaratat për humbje milionëshe, pa të dhëna dhe analiza të verifikuara, mund të krijojnë shqetësim të panevojshëm te qytetarët.
Korporata ka vlerësuar angazhimin e punonjësve dhe ekipeve teknike, të cilët, sipas saj, po punojnë për rikthimin sa më të shpejtë të kapacitetit prodhues.
KEK-u ka theksuar se mirëpret kritikat konstruktive dhe interesimin e mediave, por ka kërkuar që çështjet që lidhen me prodhimin dhe sigurinë energjetike të trajtohen mbi bazën e fakteve të verifikuara.
Korporata ka bërë të ditur se opinioni publik do të informohet me kohë për rikthimin e njësisë B2 në operim.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




