Kanadaja dhe Bashkimi Evropian kanë njoftuar krijimin e një aleance të re, përmes së cilës synojnë të forcojnë bashkëpunimin ekonomik, politik dhe të sigurisë, si dhe të zvogëlojnë varësinë nga partnerët e tjerë globalë.

Partneriteti, i emërtuar “Aleanca për të Ardhmen”, është prezantuar nga kryeministri kanadez, Mark Carney, dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, gjatë një deklarimi për media në Montreal. Aleanca do të jetë e hapur edhe për shtetet e tjera që ndajnë të njëjtat interesa dhe vlera.
Sipas Carneyt dhe von der Leyenit, forcimi i partneritetit ndërmjet Kanadasë dhe 27 vendeve anëtare të BE-së mund të krijojë më shumë stabilitet dhe mundësi të reja, në një periudhë të shoqëruar me pasiguri gjeopolitike.
“Shoqëritë tona janë tronditur nga stuhi të reja”, ka deklaruar Carney, duke iu referuar jo vetëm pasojave të krizës klimatike, por edhe dobësimit të normave demokratike dhe përdorimit të tregtisë si instrument presioni politik.
Në përfundim të samitit dyditor, Kanadaja është pajtuar të kontribuojë në kredinë mbështetëse prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën.
Ndërkaq, udhëheqësit kanë bërë të ditur se diskutimet e ardhshme do të përqendrohen në krijimin e një tregu më të integruar, me vlerë prej dhjetëra miliarda dollarësh, lehtësimin e kufizimeve tregtare dhe të udhëtimit, si dhe hapjen e mundësive të reja në fushën e arsimit.
Afrimi i Kanadasë me partnerë të rinj gjeopolitikë po ndodh në një kohë tensionesh tregtare me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Qeveria e Carneyt synon të zvogëlojë varësinë nga kompanitë amerikane, veçanërisht në sektorët e mbrojtjes dhe teknologjisë.
Shqetësimet për këtë varësi janë shtuar edhe pas vendimit të Elon Muskut, në mesin e tetorit, për të kufizuar shpejtësinë e shërbimeve Starlink dhe Starshield mbi Ukrainë. Sipas raportimeve, ky veprim kishte shkaktuar ndërprerje serioze në operacionet ushtarake dhe mbrojtëse ukrainase.
Carney ka paralajmëruar vazhdimisht se teknologjitë e mbrojtjes së Kanadasë nuk duhet të varen nga vendimet e kompanive apo aktorëve politikë që mund të kenë interesa të kundërta.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




